Op/Ed

Kidnapimi dhe dërgimi në vuajtje të dënimit para e pas bombardimit të NATO-s tash në burgje të Serbisë

Shkruan: Jahja Lluka


Pasi që me 3.02.1998 pata dalë nga shtëpia për të vizituar hamamin e qytetit, se si kanë shkuar punët në qendrën e re kulturore, diku kah mesdita u kidnapova,në një dyqan në Pejë dhe, në baze të një vendimi të Gjyqit Suprem të ish Jugosllavisë, u dërgova menjëherë në vuajte të dënimit, sepse isha dënuar me tre vjet burg, për shkak të armëmbajtjeve pa leje. Nuk kisha asnjë mundësi për t’i ikur vuajtjes së dënimit, pasi Shërbimi Sekret Serb e kishe të qartë se lufta në Kosovë po fillonte dhe gjithë ata të cilët eventualisht mund për të organizonin rezistencë duhej të largoheshin.Tek unë rasti ishte shumë i qartë: vendimi me formë të prerë  i Gjyqit Suprem dhe më dërguan në Burgun e Dubravës. Tani askush nuk e kishte të qartë se ku jam, se çka ka ndodhur me mua.

Me të hyrë në burgun e Dubravës më dërguan në pavijonin e pranimit ku u dashke të qëndroja një muaj e pastaj të më dërgonin në ndonjë pavijon. Këtu takova shumë shokë, të cilët as që i kam njohur më herët, por për të cilët kisha dëgjuar.  U ula afër një tavoline dhe rashë në mendime: ku m’u sillnin shumë ide dhe mundësi si mund t’i ikja këtij arrestimi, por tashti ishte gjithçka tepër vonë.Ishte ende acar, kishe edhe borë. Isha i lagur e dridhesha.

M’u afrua një djalosh i ri dhe më pyeti se a jam unë Jahja Lluka. Po. A ki nevojë për ndonjë gjë. Nuk e  di, nuk kam marrë asgjë me vete, pasi që më kanë kidnapuar në qytet, m’i kanë vënë prangat dhe më kanë sjellë në vuajtje të dënimit. Nëse ke mundësi të m’i sjellësh një palë çorap, do ta dija për nder. Djaloshi shkoi në dhomën e tij, më solli çorape e papuçe dhe fillova të ngrohem pak. Ishte ky Enver Dugolli. Ishte këtu i gjithë grupi i Avni Klinakut, Enver Dugolli, Liburn  Aliu, Dylber Beka, me të cilët nga kjo ditë ishim në shoqëri të pandarë. U bëmë shokë dhe miq, kështu që, edhe kur përfundoi koha e qëndrimit në pavijonin e pranim dhe  na dërguan në pavijonin C, vazhduam shoqërimin tonë. Prapë isha në një dhomë me Avni Klinakun. Mund të them se Avniu ishte një njeri i madh. Qëndresa e tij na jepte zemër të gjithëve për të qëndruar dhe për të mos u gjunjëzuar para provokimeve dhe maltretimeve të gardianëve serbë. Dëgjonim në mbrëmje lajmet, i komentonim dhe bënim biseda se çka do të ndodhë me Kosovën. Ishte e vështirë dhe më i vështirë ishte mëngjesi, kur nga banjat dhe WC-të e pavijonit C, Peja shihej sikur në shuplakë të dorës.

Çdo ditë sa vinte dhe ashpërsohej situata. Pas disa muajve, pjesën e pavijonit të lirë, ku ishin rreth 100 të burgosur, i futën brenda në burgun e Dubravës.Sipas fjalëve, atje ishin ofruar dhe ishin vendosur frankistët famëkeq. Nëpër burg flitej se një ditë do të na transferonin në Serbi. Pranë burgut të Dubravës, filluan të adoptonin një pistë për aeroplanë të vegjël dhe për helikopterët që ateronin nga baza e helikopterëve në Mokne, jo larg burgut të Dubravës. Nga këtu, pas një kohe filluan fluturimet e avionëve, të cilët bombardonin Rrafshin e Dukagjinit. Ishte e vështirë. Uleshim dhe bisedonim se a ka mundësi që ndonjë njësit i UÇK-së ta sulmonte burgun e Dubravës. Bisedonim ndërmjet veti, se a mund t’i besonim ndonjë shqiptari, që ende punonte në burgun e Dubravës. Ishte e vështirë për t’i besuar dikujt në ato momente.

Kështu, çdo ditë, kishim mjaft kohë për të biseduar, eventualisht për të lexuar ndonjë libër dhe në mbrëmje e kishim obligative për të dëgjuar ditarin e Televizionit të Beogradit, i cili i jepte lajmet për betejat që po zhvilloheshin në anë të ndryshme të Kosovës – “kundër terroristëve shqiptarë”. Një ditë, në burg u fut një delegacion ushtarak dhe tani flitej se burgu i Dubravës do te shndërrohet në kazermë ushtarake kurse ne të gjithë  do të transferoheshim nëpër burgjet e Serbisë. Ky ishte edhe një rrezik i madh për ne shqiptarët. Një natë, dëgjova lajmin se është zënë rob Naim Maloku. Kjo më trishtoi, pasi, në këto rrethana, mendoja, mund të na merrnin në pyetje edhe për disa marrëveshje tona për armatimin e popullit shqiptar. Në burgun e Dubravës, disa herë vinin punëtorët e sigurimit serb nga Peja, të cilët interesoheshin për armatimin, për organizimin dhe për njerëzit. Qëndrova ashtu si kisha vendosur dhe, pas disa ditësh, erdh vizita dhe tani e kisha të qartë se edhe Reshati ishte në rrezik.

E shfrytëzova rastin dhe njërin nga gardianët shqiptarë e luta që të ma largonte gardianin serb që  të mund të flisja me bashkëshorten. I thashë: të lutem dërgoja Reshatit një porosi që ai të largohet sa më shpejt nga qyteti, për arsye se sigurimi shtetëror serb është duke u interesuar shumë për aktivitetet dhe angazhimet tona në drejtim të përgatitjes për luftë të armatosur. Kaluan edhe disa muaj dhe një mëngjes, para orës katër, na zgjuan nga gjumi. Kishin hyrë nëpër qeli si bisha. Na nxorën jashtë të gjithëve, na rreshtuan në korridor të pavijonit, na prangosën dhe na qitën shumë shpejt jashtë pavijonit dhe jashtë burgut. Ishim të hutuar. Nuk e kishim të qartë se çka është duke ndodhur, megjithëse kishim biseduar edhe më herët se kjo ditë do të vinte. Përfundimisht, kjo ishte dita e zbrazjes së burgut të Dubravës, transferimi i të gjithë të burgosurve nëpër burgjet e ndryshme, pasi që këtu duhet të jetë kazerma kryesore e paramilitarëve serbë për të luftuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth 450 të burgosur u nisën me autobus u nisën nga Dubrava për në Istog e nga Istogu në Pejë. Gjithkah ndihej atmosferë lufte. Nuk kishte njerëz nëpër rrugët e qytetit.Nga Peja kolona e autobusëve me të burgosur të Dubravës u nis drejt Rozhajës.

Tani gjithçka e kishim të qartë, mirëpo shpresa, se njësitë e UÇK-së mund të na e nxjerrin nga transferimi ynë në Serbi, për asnjë moment nuk u zbeh. Me të mbërritur diku, në kilometrin e pesëmbëdhjetë, duke hyrë në grykën e Zhlebit, në një kodër i pashë dy mauna të ndalura, të mbushura me zhavorr. Afër rrugës e pashë Idriz Balën, me mjekrën e tij të famshme dhe dy shokët e tij. Me të parë Idrizin ngadalë iu thashë shokëve se ne do të shpëtojmë.Fatkeqësisht pritja ishte e kotë. Pasi dola nga burgu, mësova nga Idrizi, se ai e kishte humbur rrugën dhe rastësisht kishte dalë në rrugën kryesore në asfalt dhe kur e ka parë policinë dhe kolonën e autobusëve është tërhequr ne mal. Vazhduam rrugën, isha në mundime për të urinuar, pasi që askush nuk guxonte të kërkonte asgjë nga gardianët. Kam marrë një qese dhe jam munduar të urinojë në një qese najloni. Me atomin e fundit të forcës, me mundime shumë të mëdha, pasi mbi pesë a gjashtë orë e kisha mbajtur urinën. E kreva këtë proces të mundimshëm dhe u lirova.Mbërrimë në Rozhajë.

Nga Rozhaja u nisëm drejt Mitrovicës. Me të ardhur në udhëkryq për Novi Pazar, kolona u ndal edhe u nda në dy drejtime. Një pjesë për Novi Pazar, një pjesë për Mitrovicë. Kur mbërritëm në Mitrovicë edhe aty kolona prapë u nda. Një pjesë mbeti në Mitrovicë, një pjesë tjetër u nis drejt Prishtinës. Tani ishim në dilemë. Me të dalë nga Mitrovica, kolona u ndal në Smerkovnicë, ku mbeti një pjesë e të burgosurve, ndërsa ne vazhduam rrugën për në Prishtinë. Masat e sigurisë ishin shumë të mëdha dhe nga Prishtina na dërguan për burgun e Lipjanit. Ishte fillimi i korrikut të vitit 1999. Ishte vapë. Me të mbërri në burgun e Lipjanit, na zbritën, na rrahën mirë, sepse ishte e pamundur që të futesh në burg pa e kaluar kordonin e policëve, të gardianëve dhe të burgosurve serbë, të cilët në çdo mënyrë, kishin dëshirë që t’i gjymtonin të burgosurit shqiptarë. Në Lipjan na vendosëm nëpër qeli. Këtu qëndruam tre muaj, që asnjëherë në jetë nuk do t’i harroj. Dhuna dhe represioni ishte jashtë çdo mendje.

Gardianët serbë “ndihmoheshin” pa asnjë rezervë nga disa gardianë shqiptarë dhe myslimanë. Unë isha në një dhomë me disa të burgosur për krime ordinere dhe gjendja ishte shumë e vështirë. Ushqimi ishte katastrofik, ujë për pije nuk kishte fare. Kishim një orë shëtitje, nën masa të më të rrepta të sigurisë. Ishte kjo shëtitje  me kokë të ulur,  pa mundësi që të bisedonim asnjë fjalë dhe pa asnjë lëvizje të pakontrolluar, se, për ndryshe, dihej se çka të priste. Atmosfera në burg ishte shumë e rëndë. Ndihej jehona e betejave në Lipovicë dhe Kleçkë, ku helikopterët serbë çdo ditë bombardonin. Tymë i zi shihej çdo ditë… Me ne në Burgun e Lipjanit, ishte edhe Naser Rahova, nga Mitrovica, i cili vuante dënimin për një vepër të cilën ai me këmbëngulje thoshte se nuk e kishte kryer. Nuk do të flas për veprën e Naserit, sepse në këtë kohë vepra nuk ishte shumë e rëndësishme. Me rëndësi ishte që të gjithë të burgosurit shqiptarë ishin tok së bashku. Ndanin të mirat dhe të këqijat. Naseri një natë ankohej se kishte dhembje.

Ai kishte një të thatë në lukth. E rrahën  gardianët, e morën dhe në vend që ta dërgonin të mjeku, Naserin e rrahën brutalisht, posaçërisht një gardian shqiptar, të cilit nuk kam mundur t’ia mësoj emrin asnjëherë. Naseri në mëngjes ndërroi jetë, pasi nga rrahjet dhe nga sëmundja kishte gjakderdhje, por askush nga gardianët nuk donte të besonte se ai ishte me të vërtetë i sëmurë. I thoshin se po simulonte, vetëm për ta dërguar në spital në Prishtinë dhe, eventualisht, për te ikur… Fatkeqësisht Naser Rrahova vdiq në burgun e Lipjanit.Pas vdekjes së Naserit, u krijua një rrëmujë edhe më e madhe në burgun e Lipjanit, por tani gardianët gjetën disa të burgosur romë dhe një serb, të cilët dëshmuan se Naseri i ka provokuar gardianët, me simulimin e tij dhe se gardianët nuk e kanë rrahur. Diku në fillim të shtatorit, nëse më kujtohet mirë data, duhet të ketë qenë pesë shtator, intensiteti i luftimeve në Kosovë ishte rritur. Gryka e Llapushnikut ishte mbyllur. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bënte luftime të ashpra me okupuesit sllavë. Për çdo ditë pritej  depërtimi i Ushtrisë Çlirimtare afër burgut të Lipjanit. Mendonim  se organet serbe me siguri do të na transferonin tani në Serbi. Do të ishte ky edhe një maltretim. Prapë na lidhën, na futën nëpër autobus dhe na dërguan një pjesë në Nish, një pjesë në Pozharevc (Zabellë).


Në burgun e “kralit” në Zabellë të Pozarevicit
Me të mbërritur në Zabellë, ku ishte burgu famëkeq, pas maltretimeve dhe rrahjeve, që ishte diçka normale për serbët, na futën në pavijonin e shtatë dhe na thanë se këtu do të qëndronin dy muaj, meqenëse nuk ka vende në pavijonet e tjera. Ky ishte pavijoni më i keq. Ky ishte një burg i ndërtuar nga Krali, ku kishin vuajtur shumë veprimtarë shqiptarë. Duke e shikuar këtë ndërtesë famëkeqe, isha i lodhur dhe rraskapitur dhe në një moment u thashë shokëve: është mirë që të përshëndetemi këtu, se unë nuk mendoj se do të dal i gjallë nga ky kazamat. Ishte kjo një ndërtesë katër katshe, e gjitha në tulla, me dritare me hekura, e rrethuar me një mur të lartë të mbuluar me tela gjemborë, mbi të cilin qëndronin gardianët e armatosur me kallashnikov. Na ndanë nëpër dhoma. Isha i vetmi i burgosur politik në këto momente. Kalonin disi ditët, letra nuk kishim nga familja, nuk kishim informata se çka është duke ndodhur në Kosovë, nuk kishim gazeta, ne ishim në një izolim të plotë. Qëndruam këtu dhe ne mendonin se këtu është fundi i jetës sonë. Dëgjova se në këtë burg, është Riza Gjakli, i cili ishte duke e vuajtur dënimin nga procesi i  Paraqinit. Një ditë filluan t’i sjellin edhe ata pak shqiptarë që ishin në pavijonet e tjera. Me të ardhur Rizai kuptuam që në Kosovë po zhvillohen luftime të ashpra. Këtu ishte vështirë, gardianët serbë kuptuan se unë isha i vetmi i burgosur politik dhe nuk e kisha lehtë.

Një ditë, për shkak se i kërkova diçka shokut të dhomës, më rrahën brutalisht tre gardianë. Nuk i besoja vetës se i qëndrova gjithë kësaj. Kur erdh Riza në pavijonin e shtatë e kuptuam se ekziston mundësia që NATO-ja t’i bombardojë caqet e ushtrisë serbe dhe në Serbi. Ditët i kalonim në dhomë, në qeli. Nuk na lejonin as  shëtitjen e obligueshme. Ishim të detyruar të rrinim ulur në karrige, assesi nuk guxonim të shtriheshim as një minutë. Karrigia ishte e ngulitur në dyshemenë e betonit dhe kështu gjithë ditën u dashke të ishim ulur. Zgjidhja e vetme, për ta mbajtur mendjen dhe shpirtin e kthjellët, për mua, ishte libri.

Një i burgosur serb, i cili ishte korrier, e kishte mundësinë që nga biblioteka e burgut të sjellë libra, por kjo u dashke të paguhej, e në burg të paguhej o me cigare, o me tableta për qetësim. Biblioteka e burgut ishte shumë e pasur, normalisht me libra në gjuhën serbo-kroate. Kishte edhe libra të përkthyer të autorëve botërorë dhe ky ishte shpëtimi im. Çdo libër e paguaja me nga një pako duhan dhe kështu çdo ditë lexoja nga dhjetë orë, nganjëherë pa ndërprerë. Falë librit nuk kisha mundësi shumë të mendoj as për luftën, as për familjen, as për fëmijët e mi, jo që nuk doja të mendoja, por futesha në jetën e shkrimtarëve, në romanet e tyre, për ta ruajtur mendjen se njeriu ne këso situate edhe mund të çmendej. Fillova edhe të shkruaja poezi. Por me poezitë e mia nuk isha aspak i kënaqur. Një natë u futën në qeli dy gardianë dhe më nxorën jashtë. Njëri më pyeti se çfarë marrëdhënie ke ti me Kombet e Bashkuara. Nuk e kisha të qartë se çka donte gardiani. Ai a nuk dinte apo  donte të më provokonte për të më rrahur, m’i bëri disa pyetje të njëpasnjëshme. Unë nuk kisha të drejt të flas, pos me po ose jo. Më në fund kuptova se të  nesërmen do të vinte dikush nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Gardiani, të gjithë mllefin e tij e zbrazi mbi trupin tim për arsye se unë kinse e gënjeva se s’kam te bëjë asgjë me Kombet e Bashkuara. E kotë ishte për t’ia shpjegoja atij se Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nuk ka të bëjë asgjë me Kombet e Bashkuara. Pas një rrahje brutale më futën në qeli dhe të nesërmen kisha vizitë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Ishte e kotë të ankohesh, pasi që çdo bisedë incizohej dhe përcillej dhe pastaj normalisht pasonte edhe një rrahje tjetër. U dashke të flasësh për nevoja e tuat, për nevojat në ushqim, higjienë, mbrojtje shëndetësore dhe çështje të tjera të kësaj natyre. Pas disa ditëve një pjesë të të burgosurve, që ishin nëpër pavijone të tjera, i futën në izolim. Ata na treguan se sonte u bombardua Beogradi nga NATO-ja. Ky ishte një gëzim i madh në zemrat tona, të cilin nuk guxonim ta shprehnim. Një gëzim por edhe një frikë thellë në vetëdijen tonë se çka do të ndodhë me ne. Ishte shumë vështirë, sjellja e  gardianëve u ashpërsua edhe më tepër.

Tani çdo lëvizje ishte ndër kontroll nga ata dhe çdo natë kishim kërcënime për likuidim fizik. Këtu, në burgun e Pozharevcit, e sollën nga burgu i Nishit edhe një bashkëqytetarin tim, Naser Belegun, për të cilin mund të flas vetëm fjalë të bukura, për sjelljen, për përpjekjet e tij për ta ndihmuar çdo të burgosur edhe mua si bashkëqytetar. Naseri kishte një kumbarë në Tetovë, i cili nga Maqedonia i sillte pako me të gjitha të mirat. Këto nuk ishin vetëm për Naserin, këto ishin për të gjithë ne, kështu që e kam obligim moral edhe me këtë rast ta falënderoj për zemërgjerësinë dhe bujarinë e tij. Nuk kalonte ditë pa u rrahur ndonjëri nga të burgosurit tanë.

Në dhomë e kisha një pylltar nga Kotorri i Skënderajt, të quajtur Xhavit Kotorri, i cili vuante dënimin për vrasje. Një natë, më kishe marrë gjumi dhe në një kohë Xhaviti vjen dhe më zgjon nga gjumi. Jahë, zgjohu. U zgjova dhe pyeta: çka ka, Xhavit. Ai tha: Jahë, po më duket se e morën Rizën. U zgjova, i vesha rrobat dhe u futa në batanije duke pritur, se pas Rizës do vijnë të më marrin edhe mua. Ishte një natë e tmerrshme. Pritje dhe ankth, deri në mëngjes kur u hap dera për ta na dërguar në shëtitje. Duke dalë nga qelia, meqenëse rreshtoheshim më fytyrë nga muri, e pashë Rizën. Zemra m’u bë mal. E pyeta disi: Rizë, çka ka ndodhur mbrëmë? Asgjë, tha, Jahë. Njërit nga të burgosurit ordinerë, i cili ishte konsumues i drogës, i kishin ardhur pesë minutat e tij dhe, normalisht,  kishte bërë rrëmujë. Isha i gëzuar dhe i tregova Rizës, se çka ka ndodhur… Kështu kaluan 78 ditët e bombardimeve të NATO-s. Pritje, ankth se kur do të na vrasin. Erdhi 10 qershori.

Më 10 qershor 1999, në burgun e Pozharevcit, sollën mbi 620 të burgosur shqiptarë nga Kosova. Kjo ishte një natë e Bartalomeut. Të gjithë gardianët, shumica e të burgosurve serb, kishin krijuar një kordon dhe sa herë thirrej emri i ndonjë të burgosuri, apo i ndonjë të zëni rob në luftën e Kosovës, duhej të kalonte nëpër këtë kordon duke përjetuar rrahjet më brutale të mundshme. Këtu dëgjova emrat e shumë qytetarëve. Këtu e dëgjova edhe emrin e Reshat Nurbojës, edhe emrin e Nait Hasani e të shume të tjerëve. Këtu kishte edhe shumë të mitur. Të nesërmen, me të dalë në shëtitje, Riza, si një i burgosur i vjetër, kishte futur një transistor të vogël me dy kufje dhe në mbrëmje ne flinim kokë me kokë, sepse ne tani ishim në një dhomë. Riza dëgjonte lajmet më një kufje, ndërsa unë në kufjen tjetër. Të nesërmen i informonim shokët për ndodhitë dhe për situatën në Kosovë.

Në burgun e Pozharevcit ishte me ne edhe një Reshat, i cili ishte në burg për hajni dhe e luta që të largohej pak që ta thërras me emër për të vërtetuar se a ishte këtu Reshat Nurboja. E shfrytëzova mungesën e gardianëve dhe e thirra: Reshat, Reshat dhe Reshati doli në dritaren e katit të katërt prapa grilave. Shpejt e shpejt e pyeta se çka ke kërkuar këtu. Erdha pas teje, më tha. A nuk pate ku të vije pas meje,  po erdhe këtu. Aty ishin edhe vëllezërit Mazreku, të cilët i kishin sjellë për rastin e Kleçkës dhe kishin mbikëqyrje te posaçme. Kishte edhe shumë të rinj nga të gjitha anët e Kosovës. Filluam  t’i furnizojmë me libra, meqenëse pavijoni i shtatë ishte mbushur përplot me të burgosur shqiptarë.Një ditë dola për të marrë një pako, të cilën ma kishin dërguar familja përmes disa kanaleve nga Rozhaja, nga Ulqini. Pasi e mora pakon e pashë një fëmijë, i cili priste për t’i hapur derën e qelisë. Më pyeti: axhë nga je. I thashë: nga Peja. E pyeta: sa vjet i ki, më tha: 16 e gjysmë. I thash: çuni i axhës, mbas dy ditësh do të shkosh në shtëpi, por, të lutem përmbahu.

Normalisht se ai ishte shumë i ri dhe nga gëzimi filloi të bërtiste. U dëgjuan hapat e gardianit. I thashë: të lutëm, rri urtë, se do të pësojmë të dy. Ai tani e kishte të qartë dhe besonte se do të shkonte në shtëpi. Kjo, pas disa ditësh, edhe  ndodhi meqenëse presioni i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe presioni i faktorit ndërkombëtar ishte shumë i madh se të miturit, çfarë ishte ky, nuk mund të mbahen në burg. Pritej se do të liroheshim edhe ne, por kjo shkonte më dalëngadalë. Tani situata ndryshoi në burgun e Zabellës së Pozharevcit. Meqenëse gardianët serbë tanimë nuk kishin të ardhura personale më të mëdha se 20 marka gjermane në muaj. Naseri e Riza por edhe disa shqiptarë të tjerë, të cilët kishin të afërm jashtë, në botën e jashtme, kishin mundësi t’i “blinin” gardianët. Për mua kishte rëndësi që Naseri kishte “blerë” një gardian i cili kishte mundësinë që të dërgonte letra pa censuruar jashtë burgut, në postën e Pozharevcit, por edhe përmes mënyrave të tjera. Ata na sillnin edhe bateri për transistor që për ne kishin rëndësi të posaçme që të mund t’i përcillnim lajmet. 

Me 4 korrik përfundoja vuajtjen e dënimit komplet dhe kisha dy fletore të mbushura përplot me poezi dhe disa shkrime të tjera. Mendoja se si do t’i dërgoja këto. Mendoja edhe për një gjë tjetër. Meqenëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte shtylla kryesore për bombardimin e NATO-s mbi qarqet serbe, ishte njeriu kyç në krijimin e kushteve për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nëpër tërë botën, bisedova me Rizën dhe disa shokë ku i shkruam një letër Kryesisë së Shoqatës për t’i ndarë çmimin “Hasan Prishtina” presidentit Bill Klinton. Tani e luta Naserin që këtë letër të ma dërgojë në Rozhajë te disa miq, te Nexhmedin Maloku, i cili kishte një dyqan në Rozhajë, e mandej nga Rozhaja në Pejë. Prova ishte e suksesshme.

Letra mbërriti në Kryesinë e Shoqatës dhe propozimi u miratua me kënaqësi nga Kryesia. Tani ishte radha për fletoret e mia. E luta Naserin që të m’i dërgonte edhe fletoret. Gardiani e kishte emrin Dragisha dhe i thashë lute që të m’i dërgonte këto dy fletore deri në postë në Rozhajë, në adresë të Nexhmedin Malokut dhe ditën kur fletoret të mbërrijnë në Pejë, vajza ime Mirlinda do t’ dërgojë 100 markë në adresë të gardianit.Naseri kishte mundësi që t’i jepte të hollat. U mundova të sigurohesha që shkrimet e mia të arrinin në shtëpi time. Kështu edhe u bë. Një mbrëmje, Dragisha i mori fletoret, i futi në pantallona dhe i dërgoi, por me të mbërri shkrimet e mia në shtëpi, kureshtja e familjes se si ka pas mundësi që këto shkrime të vijnë deri këtu ku në fletore ishte e vizatuar shqiponja dykrenore, kishte shkrime të lloj llojshme, për legjendat tona, për heronjtë tonë, për bukurit e vendlindjes sime, për fëmijët e mijë.Kaluan ditët, priteshin marrëveshjet për lirimin e të burgosurve, por kjo nuk ndodhi deri më 4 korrik 1999, kur unë duhej të lirohesha definitivisht.

Atë ditë, para se të lirohesha, më thirri Miki Vidiqi, i cili tani ishte komandant i ardhur nga Dubrava ku kishte qenë komandant  dhe ishte njëri nga ata që ka marrë pjesë në masakrën e Dubravës. Ai më tregoi se shtëpinë ma kishin djegur krejtësisht, se kulla e vjetër është rrënuar, ndërsa për familjen nuk dinte se kah është. I përballova të gjitha dhe vazhdova rrugën time. Me të dalë te porta, njëri nga komandantët të cilët kishte punuar edhe në Dubravë dhe më njihte, më tha: ti duhet të na falënderosh që ta kemi shpëtuar jetën se, përndryshe, do të ishe vrarë në Kosovë.  Pasi aty afër ishin  përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe nuk kishe ndonjë rrezik, i thash: ju,  mua më keni marrë në qafë, se, sikur të mos kisha qenë në burg, sikur ju të mos më kishit burgosur, unë sot do të isha ose dëshmor e hero, ose gjeneral. Me të dëgjuar këtë, s’i mbeti tjetër pos të ma shajë nënën dhe të më thotë se ty nuk ka kush që mund të përmirësojë, as ky burg dhe asnjë tjetër. 


Qëndrimi në Burgun e Pozharevcit


Qëndrimi në burgun e Pozharevcit me të vërtetë ishte i tmerrshëm. Mund të flas me ditë të tëra për ndodhitë, por fatkeqësisht, këtu nuk mund të flitet për asnjë ndodhi të bukur. Këtu mund të flitet vetëm për gjërat më të tmerrshme të cilat mund t’i mendojë truri i njerëzve të sëmurë. Mund të flas për 10 qershorin, kur shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe të plagosur i rrihnin në mënyrën më brutale, deri në alivanosje. Mund të flas për rastin kur një i burgosur, i cili ishte sjellë me plagë të rënda në dorë, dërgohet në ambulancën e burgut dhe kur njëri nga mjekët i urdhëroi që t’ia amputojnë dorën e djathtë. Me siguri se ishte shumë e vështirë, por ndonjëherë fati i njerëzve, është shumë i madh. Pasi e përgatiten të burgosurin për t’ia këputur dorën, me të ardhur mjeku për të intervenuar, e sheh në krahun e tij të tatuazhin, se ky njeri e kishte kryer obligimin e vet ushtarak, në ushtrinë e ish-Jugosllavisë. E kishte një tatuazh me datë, sikurse bënin shumë ushtarë në kohë më të hershme. Mjeku, i cili duhej t’ia këpuste dorën, e thirri njërin nga mjekët dhe, kinse për t’u konsultuar, i foli me pëshpëritje. Këtij ushtari mund t’i shërohet dora. Ky tatuazh ia shpëtoi dorën njeriut, i cili për pak do të mund të mbetej invalid për gjithë jetën.Me siguri me qindra pengje të luftës, të cilët kishin pësuar në raste të ndryshme, kanë mbetur invalidë për shkak se kanë qenë shqiptarë. Me siguri se shumë prej tyre kanë pas mundësi të shërohen. Ka pasur raste, kur të burgosurit shqiptarë, pa asnjë shërbim shëndetësor në burg, i ka shpëtuar vetëm zoti i madhërishëm, pa ndihmën e të cilit nuk do të mund të shpëtonin nga kthetrat e sllavo-komunistëve.

Shpeshherë s’mund të merrnin as një tabletë të thjesht për kokëdhembje, e mos e dhëntë zoti sikur të kish ndonjë problem më të madh shëndetësor. Mund të them se tre muaj e gjysmë kam duruar dhembjen e një dhëmbi, të cilin është dashur ta mjekoj pasi kam dalë nga burgu.  Kjo s’është kurrgjë në krahasim me atë që i ka ndodhur një miku i cili është nxjerrë nga qelia e burgut, është dërguar diku afër Danubit dhe i është urdhëruar që ta hapë gropën për varrin e vet. Fati që atë natë, pronari i asaj toke ka kaluar aty-pari  dhe është ndalur për të shikuar kush janë ata në pronën e tij. Prandaj kriminelët janë tërhequr dhe ky ka qenë shpëtimi i të burgosurit.Shumica e të burgosurve shqiptarë janë detyruar me dhunë të kryejnë punë fizike nëpër pronat bujqësore të burgut të Zabellës në Pozharevc. Mbikëqyrja ka qenë shumë e ashpër dhe terë ditën, në arat e burgut, është dashur të punohen punë të ndryshme. Shumë njerëz këtu kanë pësuar. Unë, mund të flas ndoshta më lirshëm, për arsye se ndihma e zotit, fati dhe shëndeti dhe pa e harruar në asnjë moment librin i cili më ka ndihmuar që të qëndroj e ta ruaj vigjilencën, shëndetin dhe mendjen. Shumë njerëz, shumë shokë  që kanë kaluar tmerret e burgjeve serbe, kanë dalë prej këtu me trauma të ndryshme. Unë dua të them se një ndihmë të pakursyer, një ndihmë të çmuar për qëndresën time, ka dhënë edhe Riza Gjakli, i cili me vite kishte qëndruar në burgun e Pozharevcit. Ndoshta është mirë të përmend këtu edhe një anomali të cilën unë edhe Riza e kemi bërë sa kem i qenë në burgun e Pozharevcit. Duke mos ditur se çka është duke ndodhur në Kosovë, ne vazhdimisht kemi bërë kërkesa për transferim në burgun e Dubravës në Kosovë. Në kohën kur burgjet në Kosovë, edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishin përplot me njerëz të arrestuar, civilë apo ushtarë të UÇK-së, ne, megjithatë, kërkonim transferim në burgun e Dubravës në Istog. Shumë vonë ne e kuptuam se çka ka ndodhur në burgun e Dubravës. Vetë e kuptuam me dhembje të madhe dhe që nga ai moment u zotova se do të punoj për zbardhjen e masakrës së Dubravës. Kësaj masakre i kam kushtuar një kohë të rëndësishme dhe për këtë masakër do të flas në një kapitull të posaçëm. 


Sprovime në burgjet serbe në Kosovë dhe në Serbi
Unë dua t’i them edhe disa gjëra, aq sa më kujtohen, mendoj se mendja ende më punon mirë, dhe jam i sigurt se gjithçka që nga kidnapimi dhe dërgimi në burgun e Dubravës, e deri te përfundimi i luftës dhe marrëveshja e Kumanovës, ka qenë e programuar nga Sigurimi Shtetëror serb.Ka qenë shumë e qartë se organizatorët kryesorë do të shpërndahen. Një numër edhe mund të burgosen, por një numër sish edhe do të mund të ikin. Ata të cilët nuk patën kurajë dhe guxim të largohen nga qyteti dhe të paraqiten në radhët e UÇK-së, për arsye se Serbia kishte plane konkrete se sa më shumë shqiptarë, nga atmosfera e luftës dhe e krimeve, të ikin nga Kosova dhe Kosova të mbetet pa shqiptarë. Unë nuk mund ta nënçmoj askënd dhe nuk e kam atë të drejtë, por dua të them se kam një respekt të posaçëm për të gjithë ata, të cilët ndoshta për asnjë moment, në vitet  ’90 të shekullit të kaluar, nuk u treguan se janë patriotë, apo më mirë të themi nuk ishin në asnjë lëvizje apo aktivitet të ndonjë partie apo shoqate, por në momentin e duhur, ditën ndoshta edhe me vitet e rinisë së hershme si 16 vjeçarë, po e përmend këtu një komshi timin, Cakën, për të cilin dëgjova se me 16 vjet, i kish hipur biçikletës dhe kishte shkuar në UÇK.

U befasova për të mirë, apo kur e dëgjova lajmin tragjik se është vrarë Zhuti. Fillimisht nuk e kisha të qartë se nga kush është vrarë. Më vonë kuptova se Zhuti kishte qenë njëri ndër luftëtarët e rrallë, që ia ka zbardhë fytyrën Pejës. Më erdhi mirë, pasi familja e Gjikollëve ishte një lloj kujdestari i zyrës sonë, meqenëse shtëpia e tyre ballë për ballë zyrës sonë, çdo herë vëzhgohej dhe në mëngjes ne e kishim informatë nëse dikush ka përcjell zyrën tonë apo ka bërë ndonjë lëvizje. Këtu mund të flas edhe për miqtë e tjerë, të cilët ia zbardhën fytyrën qytetit tim, qytetit të Haxhi Zekës. Mund të flas edhe për momentet kur në pakon e ndonjërit nga ne që ishim në dhomë, vinte një shishe me Coca Cola, ishte gëzimi i fëmiut, një hajn ordiner por i cili për asnjë moment nuk u gjunjëzua dhe qëndrojë me ne. Këtu mund të flitet edhe për ndonjë të burgosur i cili nuk kishe asgjë shqiptare e as njerëzore në shpirtin e tij. Mund të flas për të burgosurin i cili më ftesën e organeve të burgut ishte dhurues i gjakut për ushtarët serb. Ai mendonte se kjo do ta ndihmonte që ai të kishte ndonjë privilegj, por në të gjithë, e kuptuam se ai ishte dhurues i gjakut dhe kur u sillën gardianët serb, apo udhëheqësi i pavijonit të shtatë, në shëtitje asnjë nga të burgosurit shqiptarë nuk fliste me Cipin. Cipi kishte mbetur i vetëm. Në të gjithë ishim në grupe bisedonim, ndërsa me të dalë në shëtitore, gardiani dhe udhëheqësi, komandanti i thotë ti me siguri je spiun nga vetë fakti se askush nuk rrinë me ty. Kjo ishte një porosi e  mirë edhe për të tjerët, megjithëse dua të them hapur se, falë punës së shumë të burgosurve politikë, në rend të parë në Burgun e Dubravës, shumë mosmarrëveshje mes të burgosurve për vepra kriminale, puna, angazhimi ynë ishte i frytshëm, çdo gjë ishte nën kontroll, shpeshherë me shkrimin e letrave, me ndërhyrje që të mos këtë mosmarrëveshje mes shqiptarëve.

Normalisht se kishte mes shqiptarëve ndonjë që e kishte shpirtin e shitur, por ai dihej dhe nuk kishe asnjë rrezik nga ai. Kishte edhe raste të tjera, por që ndoshta nuk janë për t’u përendur në këtë rast. Ishte e vështirë dhe gati e papërballueshme  të qëndrosh dy dimra në izolim, në një dhomë pa ngrohje, në një qeli ku lagështia pikonte, uji nga plafoni, nga muret dhe ishte sikur në shpellë. Unë, nuk mund ta duroj të ftohtit. Unë mbështillesha me dy a tri batanije, apo shpeshherë bënim edhe “gjimnastikë” për të ngrohur gjakun dhe mund të them se gjate një dite, ka pasur raste kur i kemi bërë nga 800 përkulje. Jo çdo herë duke mbetur njëri roje, tjetri bënte ushtrime për t’u ngrohur. Ka pasur kujdestarë dhomë, të cilët i kanë paraqitur shokët se nuk po mbajnë disiplinë. Kanë harruar disa se ne jemi të gjithë shqiptarë. Kanë harruar nganjëherë se qëndrimi i gjatë në kushte të vështira, ndoshta edhe të papërballueshme ndonjëherë, ka bërë që njeriu mund  të bëjë edhe ndonjë veprim të pakontrolluar. Mirëpo gjithë kësaj duhet t’i vëmë pikë dhe të vijmë deri te përfundimi i vuajtjes së dënimit. 


Kthimi nga skëterra serbe


Kështu kaluan ditët, kështu kaluan netët duke dëgjuar lajme, kështu kaloi edhe lufta edhe bombardimet e NATO-s në një birucë, nga e cila mendja e shëndoshë nuk do të thoshte asnjëherë se mund të shpëtojë njeri i gjallë. Por njeriu ishte më i fortë se guri  dhe të gjitha këto kaluan. Erdhi 4 korriku  1999 – dita e pavarësisë dhe e lirisë, dita e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe ditëlindja e dytë e imja, pasi që për asnjë moment nuk e kisha menduar se prapë do ta shihja Kosovën, do ta shihja familjen, Pejën, atë qytet të bekuar, me të cilin aq shumë isha i lidhur. 4 korriku – besoj se asnjë njeri s’mund ta harroj këtë ditë. Filloi rruga e kthimit. Familja ishte e informuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe unë mëzi prisja që në kufirin e Kosovës me Serbinë ta takoja familjen.Atë ditë u liruam dhjetëra shokë. Tre nga Pozharevci, dy nga Leskovci, katër nga Nishi. Të gjithë u tubuam në Kryqin e Kuq në Nish dhe nga këtu vazhduam rrugën për në Merdare. E njihja shumë mirë këtë rruge, për arsye se shpesh kam kaluar për nevoja të biznesit, nëpër gjithë Jugosllavinë dhe rruga e kthimit çdo herë ishte Nish-Podujevë, Prishtinë,  Pejë.

Në Merdare na ndalën policia. Filluan maltretimet e rëndomta. Kaluam kufirin. Disa qindra metra më larg, ishin mbledhur shumë qytetarë për të na pritur.Këtu ishte edhe familja ime. Mezi prisja ta përqafoja Atdheun, Lindën, Argjirën, Besën, vëllezërit, motrat e posaçërisht dy prindërit e mi. Njëri kishte dalë për të më pritur, ishte nëna, për të cilën që nga dita e shkuarjes në Dubravë, nuk kisha pritur se do ta takoja prapë. Babai i im nuk kishte mundur të vinte. ai kishte mbetur për të më pritur në Pejë. Këtu e përqafova edhe Besianën, vajzën time të dytë. Në letrat që merrja në burg, diçka nuk e kisha të qartë se çka ka ndodhur me Besianën. Dyshoja gjithçka, vajzë e re, shumë e bukur, lufta, kriminelët dhe çka nuk më shkonte në mendje. E pashë tash Besianën dhe u gëzova se ishte gjithçka në rregull. Më vonë kuptova edhe një të vërtetë, edhe një traumë që e ka përjetuar familja ime gjatë qëndrimit tim në burgun e Pozharevcit. Familja ime, gjatë luftës, ka qëndruar në një fshat të Durrësit, në Tilaj, në një shkollë, e cila ishte shndërruar në një banim kolektiv të një pjese të qytetarëve të Pejës. Gjatë qëndrimit në plazhin te Shkëmbi i Kavajës, ishte përhapur lajmi se mua më kanë vrarë në burgun e Pozharevcit. Për familjen kjo ishte një traumë e re, për Besianën ishte shtytje për të hyrë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuptova se Besiana, me 16 vjetët e saj, u ishte bashkuar njësive të UÇK-së.

Isha krenar, por edhe i brengosur, se si një vajzë me 16 vjet, mund të hyjë në luftë dhe tani e zbulova sekretin e dyshimeve të mia. Unë nuk isha vrarë, por ata, të cilët nuk punuan asnjëherë për të mirën e popullit shqiptar, nuk punuan as për të mirën e familjes sime dhe hapën dezinformata, për të dezorientuar familjen dhe për t’i krijuar trauma sa më të mëdha. Vonë, pas shumë përpjekjeve të vajzës sime Lindës, e cila edhe në periudhën e luftës, punoi nëpër organizatat ndërkombëtare, për ta mbajtur familjen dhe për të mos iu munguar asgjë, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, u kuptua se unë jam shëndosh e mirë, por në burg. 
Me siguri se njeriu mund të flasë edhe shumë gjëra. Unë kam mbajtur edhe një ditarë në burg. Jam duke menduar që t’i them edhe disa gjëra, për disa njerëz të cilët edhe sot e kësaj dite e mbajnë veten se janë patriotë, se kanë bërë gjëra të mrekullueshme, por që në burgun e Pozharevcit, të Nishit apo të Sremit, nuk janë sjellë aspak mirë. Mirëpo vendosa që pas konsultave me shumë shokë që për hir të çështjes së familjeve të tyre, të rrethit, të mos të përmend emra. Por dua të them një gjë se shërbimi sekret serb ka ditur  të luajë me njerëz, duke dhënë edhe ndonjë lëshim eventual, për t’i komprometuar njerëzit. Mirëpo, është dashur të dihet dhe të qëndrohet