Lajme

Kica-Xhelili përplaset me Hysenin e VV-së: Pa Vjosën dhe Listën Guxo s’do ta shihnit kurrë 50 përqindëshin

By GAZETA SCANNER 1

March 11, 2024

Një përplasje ka ndodhur në Komsionin hetimor për rezervat shtetërore mes deputetit nga LVV-ja, Driton Hyseni dhe deputetes nga LDK-ja Doarsa Kica- Xhelili, lidhur me kohën kur kjo e fundit ishte në LVV.

E gjitha nisi kur Hyseni gjatë fjalimit të tij ndër tjera tha se e kupton “sikletin e deputeteve që ushtrojnë mandate të vjedhura nga forcat politike me të cilat kanë garuar”.

Kjo fjali nxiti reagimin e mënjehershëm të deputetes Kica- Xhelili e cila tha se deputetët e LVV-së çdo herë e devijojnë temën kryesore te mbledhjes.

Për çështjen e votave, ajo tha se LVV-ja, pa Vjosa Osmanin dhe Listën Guxo nuk do të mund të merrte 50 për qind të votave.

“Është gjithmonë një arsye pse nuk flasim për këtë komision. Ju gjithmonë dilni në tema tjera. Për këtë çështjen e votave-  pa Vjosa Osmanin dhe Listën Guxo në atë kohë kurrë nuk do ta shihni 50%. Kur jemi të ky diskutim një gjë duhet me pas parasysh, ne jemi te djathtë- Lista ka qenë e djathtë. Lista nuk do të duhej me u bë e majtë. Po të isha e majtë do të isha në LVV. Kam pas rezistencë të brendshme të skajshme. E djathtë kam mbetë dhe për sundim të Ligjit kam mbet. Çdo çështje pro Kosovës e kam mbështetur. Votuesit me të cilët kam komunikuar, sot vijnë me mu nëpër terren dhe në raport me atë se a e kam zhgënjy ndonjë votues … Vijnë zgjedhjet dhe e shohim. Nuk rri me një këmbë jashtë e me një këmbë brenda”- ka thënë ajo.

Ndërsa ka shtuar se çdoherë flitet për Doarsa Kica – Xhelili.

“Prej kur keni fillu me ardh në këtë komision është hera e 10 kur ju me folni për vota. Unë nuk jam protagonist këtu, ju po më bëni protagonist mu. Prapë po e bëni temë Doarsen”- ka thënë ajo.

Debati nuk ka përfunduar me kaq. Deputeti Driton Hyseni ka akuzuar deputeten se ka ikur nga LVV në mënyrë tinzare.

“Në 2021 a e ke ditur ku është zyra e LDK-së. Pse nuk ke shku atje. Ke marrë mandatin nga partnerët e Lëvizjes Vetëvendosje. Jeni e vetmja qe keni ikur në mënyrë tinzare. Sepse të gjitha reformat në aspektin e legjislacionit kanë qenë në proces e sipër. Mandatin që e ke marrë prej Vetëvendosjes e ke tradhtu”- ka thënë ai.

Ndërsa, Kica – Xhelili ka kerkuar nga kryetari i Komisionit që të mbyllet mbledhja nëse kalohet në çështje personale.

“Bone një komision hetimor për mu. Nuk je në komision për mu. Nuk ke drejt me fol për mu. Pyete Vjosën pse më ka thirrë në 2021-ten. Edhe ajo e ka ditur që jena të djathtë. Zotri Qalaj kur të dalim në personale le të mbyllet mbledhja”- ka shtuar ajo.