Lajme

Kica-Xhelili: Kryeministri ka mbrojtur publikisht në seanca plenare çdo person të dyshuar për vepra penale

By GAZETA SCANNER

December 25, 2024

Në dritën e refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për të shkuar në Prokurori pas ftesës që iu bë në cilësinë e dëshmitarit rreth skandalit me rezervat shtetërore, anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili, tha se një qasje e tillë bëhet akoma më problematike nëse shikohet “mënyra se si kryeministri flet për të gjithë akterët e afërm të tij kur i ndjek ligji.”

Gjatë një interviste në Debat Plus, Kica-Xhelili kujtoi se Kurti, në rastin e dyshimeve të Prokurorisë për persona të afërt me Vetëvendosjen, kreu i Qeverisë ka akuzuar atë për “luftë ndaj qeverië”.

“Mendoj që ne nuk mund ta shohim sjelljen e një individi vetëm në një prizëm kaq të ngushtë të një kërkese sikurse kjo. Duhet me pa pak më gjerë, dhe kur e shohim pak më gjerë, shohim edhe mënyrën se si kryeministri flet për të gjithë akterët e afërm të tij kur i ndjek ligji. D.m.th., në rastin konkret kemi të bëjmë me një mendësi që për secilin person të afërt të tij dhe vetveten, ligjin e sheh ndryshe. Sepse çdo person të dyshuar për vepra penale e ka mbrojtur publikisht në seanca plenare. Për çdo dyshim eventual që Prokuroria mund të ketë pasur për persona të afërt me VV-në, ky ka dalë dhe asnjëherë s’ka thënë që ky është një obligim i Prokurorisë, por ka thënë ‘Prokuoria po e lufton qeverinë’.” – tha ajo.