7.9 C
New York
Friday, April 19, 2024

Buy now

KGjK: Nga 3 dhjetori gjykatat i kthehen punës me kapacitete të plota, vazhdon pezullimi i bashkëpunimit me Qeverinë

- Advertisement -
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të premten, ka marrë vendim, me të cilin ndryshohet pjesërisht vendimi i 23 nëntorit.

Përmes një komunikate për medie, KGJK njofton se në takim ishin prezent edhe kryetarët e gjykatave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndryshohet pjesërisht vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës KGJK.nr.444/2022, i datës 23 nëntor 2022, në pikën II, III, IV dhe V, si në vijim: Nga data 3 dhjetor 2022 gjykatat vazhdojnë punën me kapacitete të plota”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, thuhet se pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdoë deri në një vendim tjetër, ndërsa KGJK dhe gjykatat do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

“Mbetet në fuqi pika I e vendimit KGJK.nr.444/2022, me të cilin “Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Kryetarët e gjykatave, kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të anuloj vendimin Nr. 03/109, të datës 23 nëntor 2022”, thuhet tutje.

Tutje thuhet e takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit është mbajtur me qëllim të diskutimit lidhur me situatën e re të krijuar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 03/109, të 23 nëntorit 2022.

Në rrethanat e krijuara, thuhet se Këshilli vlerësoi se gjykatat duhet t’i kthehen punës nga data 3 dhjetor me qëllim që të vazhdojnë ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“KGjK mbetet e përkushtuar që të mbroj pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor, prandaj mbetet i pa ndryshuar qëndrimi i KGjK-së dhe kryetarëve të gjykatave me të cilin i kërkohet Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shfuqizoj vendimin Nr. 03/109, dhe njëkohësisht kërkojnë që qeveria të respektoj kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi, për të ruajtur dhe promovuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, përfshirë statusin e gjyqtarëve dhe pagat. KGjK kërkon që në Ligjin për Pagat dhe në Ligjin për Zyrtarët Publik të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e vet rregullimit të pagave brenda sistemit gjyqësor, duke i pranuar qëndrimet dhe komentet e KGjK-së dhe njëkohësisht kërkon që të pranohet statusi i veçantë i administratës gjyqësore, përfshirë çështjen e pagës siç është kërkuar me komente nga KGjK dhe sindikatat”, thuhet më tej.

Kurse, thuhet se tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit përmes vendimeve dhe gjuhës denigruese të përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të papranueshme.

“Prandaj, pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta do të vazhdojnë derisa të vazhdojnë tendencat e ekzekutivit për cenimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Këshilli dhe gjykatat sigurojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se janë të vendosur për avancimin e sistemit gjyqësor dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të komunikatës.

Ndryshe, më 2 dhjetor, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, e ka aprovuar masën e përkohshme për pezullim të vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjykatësit dhe prokurorët.

“Gjykata Themelore  në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative,  me datën 29.11.2022,  ka pranuar  padinë me nr. 2767/2022  ku   Paditëse është  Shoqata  e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur  është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin  e vendimit  me numër  03/109  i datës 23.11.2022,  i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi  i vendimit  të të njëjtit, deri  në përfundimin  meritor  të  kësaj çështje  në  konfliktin administrativ”, ka njoftuar gjykata.

Më 29 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas njoftimit, gjykata ka marrë aktvendim me të cilin  ka aprovuar  propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022,  i të  paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.

Në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) më 24 nëntor 2022, ishte miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie më 23 nëntor, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 23 nëntor mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kishin njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit