Lajme

KGJK-ja në pritje të raportit hetimor për gjyqtarin Kuçi që liroi Sekiraqën

By GAZETA SCANNER 1

August 05, 2024

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është ende në pritje të raportit nga paneli hetimor në lidhje me veprimet e gjyqtarit Agim Kuçi, i cili pasi dënoi me 25 vite burgim Enver Sekiraqën e la në liri.

Nga ky institucion shkurt kanë thënë se paneli ka kohë që brenda 3 muajve ta hartojë raportin dhe se ende nuk e kanë pranuar atë.

“Paneli Hetimor brenda periudhës prej 3 muajve duhet të hartoj raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura të cilin raport i’a dorëzon KGJK-së. Në këtë rast, KGJK ende nuk e ka pranuar raportin,” thuhet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Veprimet e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, po shihen si paradoks nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.

“Gjyqtari nuk kishte të drejtë të merrej me këtë masë dmth masën e arrestit shtëpiak por do të duhej të vendoste trupi gjykues, është pak paradoks që të dënohet dikush me 25 vjet burgim dhe ti heqet edhe ajo masa e arreëstuit shtëpiak, për mua ka qenë shumë më e arsyeshme dispozita që ka qenë deri më 2023, kur në mënyre eksplicite ka qenë norma kur gjykata i cakton dikujt burgim deri në 5 vjet automatikisht ai shkon në paraburgim,” ka thënë Hasani.

Ndërkohë, edhe një ish-kryetar gjykate, Hasan Shala i Apelit, thotë se rastet e tilla duhet të trajtohen me prioritet nga Këshilli, porse mund të marrin kohë më shumë.

“Në rastin konkret Këshilli Gjyqësor ka marr masën më të rëndë e ka suspenduar gjyqtarin dhe tash janë duke u bërë hetimet, edhe në kuadër të KGJK-së komisionit disiplinor por ndoshta këtu kemi të bëjmëë edhe pr një dyshim me vepër penale, e nëse kemi me këtë atëherë kjo merr kohë,” tha Shala.

Gjyqtari Agim Kuçi, në shpalljen e aktgjykimit dy muaj më parë, e kishte lënë të lirë Sekiraqën i cili ishte në arrest shtëpiak, e që pasi Apeli vendosi që i njëjti të kthehet në paraburgim, policia nuk e kishte gjetur të njëjtën në shtëpi, duke e shpallur atë në kërkim.

Megjithëkëtë, institucionet përfshirë Ministrinë e Drejtësisë nuk janë lëshuar në informata nëse ndaj tij është kërkuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe për hapat e ndërmarr me arsyetimin se kjo është çështje konfidenciale.