Lajme

“Këta ma vranë vëllanë”, Imer Imeri iu drejtohet ish-krerëve të UÇK-së në Speciale, ndërhyn avokati

By GAZETA SCANNER 1

September 02, 2024

Imer Imeri, mbështetës i LDK-së gjatë luftës, i cili po dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, iu drejtua ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa përmendi vrasjen e vëllait të tij, aktivistit të LDK-së, Haki Imeri në nëntor të vitit 1999.

Imer Imeri tha se e ka të vështirë t’i harrojë keqtrajtimet dhe vuajtjet që tha se iu shkaktuan atij në vitin 1999. Ai iu referua Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit me “këta”, duke shtuar se “ma vranë vëllanë”, raporton Gazeta Express.

“Është vështirë me i harru. Sikur të mos m’u kish vra vëllau ndoshta isha përpjek me e harru, por këta ia vënë kulmin e të gjitha të këqijave kur ma vranë vëllanë, një djalë i një familjeje kombëtare, një djalë i shkolluar, kur u bë me i vy shtetit e vetit, me u çu e me e vra, me ia marrë jetën, edhe me thënë ‘s’di kush e vrau’. Këta të katërt janë të institucioneve të Kosovës, ku kanë shërby? Me u vra të gjithë ata njerëz edhe mos me u ditë kurrë kush i vrau. Heshtje, gjithmonë heshtje. Ajo më ka shty të jem i hapur këtu para drejtësisë dhe t’i shiqoj në sy. Jam shumë i kënaqur me juve të nderuar [iu drejtohet gjykatësve]. Zoti qoftë i kënaqur me ju”, tha Imer Imeri, pasi mbrojtësja e viktimave e pyeti nëse ai do të mund t’i harrojë ato që thotë se i ndodhën.

Njëri nga avokatët ndërhyu, duke i kërkuar kryetarit të trupit gjykues që të ndërhyjë.

Imeri foli për vuajtjet që tha se i ka përjetuar.

“As sot nuk jam shëruar”, tha ai. “Kam dhimbje në shpinë prej rrahjeve të mëdhaja, tri herë jam rrahë që kam qenë i alivanosur, pa vetëdije, që s’ma ka marrë mendja që do të mbes gjallë”.

“Me duar lidhë kam hëngër bukë, me duar lidhë kam shkuar në banjo… Por gjithmonë me ymytin te Zoti se një ditë do të dalë para drejtësisë, dhe ajo ditë erdhi sot”, tha Imer Imeri.

Ai tha se nganjëherë e humb vetëdijen, si pasojë e keqtrajtimit që thotë se iu bë atëherë.

“Nganjëherë e humbi vetëdijen, nganjëherë harroj, dhe me gjumë nuk jam kurrqysh”, tha ai. “Këto shqetësime nuk janë badihava”.

Imer Imeri tha se disa herë e ka menduar vdekjen.

“Rrehke dera dhe ma bënin ‘bëhu gati se tash po vritesh’”, tha ai.

“Sabit Geci thoshte ‘krejt LDK-në kemi me e vra’… Dhe unë pritsha ashtu qysh thoshte ai”, tha Imer Imeri.

Ai tha se arsyeja e të gjitha keqtrajtimeve që thotë se i përjetoi, ishte fakti se ai dhe familja e tij e mbështesnin presidentin Ibrahim Rugova dhe LDK-në. “Këqyrshin me na likuidu krejtve”, tha Imeri.

“Jemi familja ma patriotike në Drenicë. Këtë mund ta thonë edhe këta që janë këtu”, tha Imeri, duke iu referuar Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Imeri pohoi se ishte takuar me Hashim Thaçit dhe se kishte folur me të për keqtrajtimet që tha se i përjetoi.

“Po, e kam pyet. Tha se nuk e ka ditë. Ka thënë më vjen keq”, tha Imeri për takimin që tha se ndodhi “në fund të vitit 2016, në fillim të vitit 2017”.