Haki Abazi ditë më parë kishte deklaruar se do t’i nxjerr disa video-incizime, që sipas Abazit do të dëshmonin se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rreth kësaj ka reaguar Nazlie Bala, këshilltarja e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila ka thënë se kanë pritur nga Abazi që t’i nxjerr video-incizime.
Bala ka deklaruar se Abazi në këtë rast e ka keqpërdorur rastin e Deharit.
“Ne kemi pritur shumë që zotëriu në fjalë do t’i nxjerr të gjitha ato video-incizime, por edhe gjatë një emisioni që është deklaruar haptas u pa që ka qenë një keqpërdorim nga ana e tij në rastin e Astrit Deharit.” – ka deklaruar Bala në Teve1.
Ajo tutje ka thënë se kushdo që tenton të përfitoj nga rasti i Astrit Deharit, sipas saj është betejë që e tregon karakterin dhe njerëzoren e atij apo asaj që mendojnë të përfitojnë.
“Është skandaloze, nuk është njerëzore, pavarësisht në çfarë pozicioni je, ku vepron dhe nga vjen. Ana njerëzore e secili nga ne duhet të jetë shumë e kujdesshme kur flasim për rastin e Astrit Deharit. Rasti është duke u hetuar nga prokurori dhe presim epilog apo drejtim të duhur sa i përket zbardhjes së rastit të Deharit. Çdo gjë që flitet në lidhje me rastin e Astrit Deharit, dihet ku është adresa. Kushdo që tenton të përfitojë apo të hakmerret politikisht përmes rastit të Astrit Deharit është një betejë që e tregon karakterin dhe njerëzoren e atij apo asaj që mendojnë të përfitojnë.” – ka përfunduar Bala.