Lajme

Këshilltari i Liburn Aliut reagon për aksionin në MMPHI, përmend edhe “regjimin e vjetër”

By GAZETA SCANNER 1

October 08, 2024

Valon Hoti, këshilltar dhe shef i Kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka reaguar lidhur me bastisjet e fundit në këtë ministri dhe arrestimin e Izedin Bytyqit, zv/sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës.

Hoti ka theksuar se as ministri Aliu dhe as ndonjë anëtar tjetër i kabinetit të tij nuk janë nën hetime për ndonjë çështje.

“As ministri Aliu e asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi PËR ASNJË LËNDË; Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej; Pavarësisht tentativave që për qëllim kanë denigrimin dhe zbehjen e punëva të pashembullta që jemi duke bërë si Qeveri e Ministri, ne nuk ndalemi. Kemi prishur shumë matematika e ndalur shumë interesa. Prandaj nuk janë aspak të befasishme sulmet e koordinuara si kor. Jemi të hapur madje edhe të ndihmojmë Prokurorinë e sistemin e drejtësisë për hetimin DERI në FUND të shumë rasteve korruptive që i kemi ndalur por që kanë ndodhur e i kemi denoncuar si kabinet, mirëpo kërkojmë më shumë vullnet e më shumë përkushtim. Mbi 100 lëndë janë të dërguara nga ne në Prokurori. Ende askush nga ne s’është ftuar për t’u pyetur për ndonjërën prej tyre, fatkeqësisht asnjë veprim. Siç duket para zgjedhjeve përpjekjet e gjithanshme nga ish-regjimi do të jenë që të na pengojnë, por nuk do t’ia dalin as kësaj here. Pra, inskenime mund dhe është e pritshme të bëjnë deri në ditën e zgjedhjeve, por nuk do t’ia dalin”, ka shkruar Hoti në Facebook.