Lajme

Këshilli Prokurorial reagon pas deklarimeve të Kurtit në Kuvend

By GAZETA SCANNER 1

April 20, 2023

Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me diskutimet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, posaçërisht nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, deklaron se, sa i përket rastit të tanimë të ndjerit z. Dino Asanaj, informojmë opinion se janë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore dhe procedurale nga ana e prokurorit të çështjes dhe pas vlerësimit të gjendjes faktike është dhënë informacioni në kohë reale lidhur me këtë rast.

KPK-ja thekson se për hir të transparencës para opinionit publik dhe në zbatim të ligjit, fton këdo që ka informacione të tjera lidhur me këtë rast, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrat dhe deputetët e Kuvendit, si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë dhe qytetarët e vendit, që të vijnë dhe të ofrojnë informacionet lidhur me këtë rast pikërisht në institucionin ku është vendi të jepen detajet që mund të jenë të panjohura deri tashti.

KPK-ja thekson se institucionet prokuroriale janë të gatshme plotësisht dhe të përkushtuara që ligjërisht të trajtojnë secilin informacion me interes për ndriçimin e të gjitha rasteve në fjalë.

Rrjedhimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, informon publikun e gjerë se, sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që tashmë Kryeprokurori i PSRK-së, z.Blerim Isufaj, ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate.

Gjithashtu, KPK-ja demanton deklaratat e pavërteta se ka pasur raste edhe me herët por kinse nuk janë ka trajtuar, pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le ta deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë.

KPK-ja deklaron se mbështet dhe mbron me të gjitha mjetet juridike në dispozicion punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe në ketë rast edhe punën e PRSK-së dhe të prokurorëve të saj, të cilët angazhohen dhe punojnë që të zbatohen ligjet e vendit dhe që të mos atakohen pa fakte në çdo situatë dhe për agjenda që nuk janë në domenin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.