Lajme

Kërstiq: Shumica e serbëve të veriut janë indiferentë për Urën e Ibrit

By GAZETA SCANNER 1

August 14, 2024

Gazetari serb në Kosovë, Branislav Kërstiq, ka folur për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.

Ai tha se tash për tash, nuk ka asnjë arsye për shqetësim se do të ketë ndonjë situatë krize në veri, por sipas tij, aktualisht vendi është në një situatë, ku secila zgjidhje s’do të i kënaqte të gjithë qytetarët.

“Në qoftë se do të ishte në dorën time do ta nisja sot me shokët e mi që t’i largoja këto betona. Në anën tjetër, e kemi një gjë teknik, edhe në qoftë se e hapim urën për qarkullim e veturave, ku do të shkojmë, djathtas te Lagjja e Boshnjakëve, apo majtas në Suhodoll?”.

“Të dyja rrugët janë të hapura. Mua më dukët që jemi në një situatë që nuk kemi zgjidhje me të cilën do të jenë të gjithë të kënaqur. Në anën tjetër, e kemi komunitetin serb në veri të vendit, që në një mënyrë është i manipuluar nga ana e Beogradit”, tha Kërstiq në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se shumica e serbëve të Kosovës që jetojnë në veri, janë indiferent për sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, e po ashtu, sipas tij, ekziston një numër që pro hapjes së saj.

“Shumica nga ta janë indiferent kur është në pyetje hapja e urës. Ekziston edhe një numër që është pro hapjes së urës dhe në fund e kemi një pjesë radikale që janë kundër. Por, në qoftë se nisemi me hapjen e urës me tensione, ekziston mundësia që KFOR-i ta mbyll këtë urë edhe për lëvizjen në këmbë e që është tepër negative për ardhmërinë e bashkëjetesës në Kosovë”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Kërstiq, po ashtu tha se sot për sot janë mbi 3-4 mijë njerëz që lëvizin në këmbë mbi Urën e Ibrit dhe sipas tij, pas rastit të Banjkës nuk ka ndodhur asnjë incident ndëretnik në veri.