Ballina

Kërkohet vëmendje nga Qeveria për mesazhet e njëpasnjëshme të ShBA-së

By GAZETA SCANNER 1

September 22, 2023

Shqetësimet që i ka ngritur emisari amerikan, Gabriel Escobar për kritikat e kryeministrit Albin Kurti ndaj Miroslav Lajçakut, po shihen si mesazhe të qarta që duhet të dëgjohen me vëmendje nga krerët kosovarë.

Kurti pas takimit të pasuksesshëm me Vuçiqin në Bruksel, kritikoi ashpër emisarin e BE-së, duke thënë se u pozicionua në anën e Serbisë.

Profesori Milazim Krasniqi thotë se ekzekutivi duhet ta ndryshojë qasjen karshi ndërmjetësuesve të dialogut, dhe të dëgjojë me kujdes mesazhet amerikane, sepse në të kundërtën, sipas tij, mund të ketë pasoja.

“Fatkeqësisht Kosova tashmë gjendet para presioneve të mëdha ndërkombëtare, para rrezikut që të izolohet integrimi, para rrezikut që të bllokohen fondet e Bashkimit Evropian dhe kështu të prishet imazhi i saj si palë e besueshme në procesin e dialogut. Kështu që definitivisht situata është alarmante. Në këtë situatë duhet të kuptohet saktë ajo çka ka thënë Escobar sepse ai fletë në emër të Amerikës”, ka thënë Krasniqi.

Të njëjtën gjë e thotë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, i cili thekson se integrimi i Kosovës mund të bëhet më i vështirë.

“Mesazhet apo më mirë të themi qortimet, nga Z. Escobar janë shumë të vrazhda dhe të thella dhe me shumë pasoja, sepse duhet të mos harrojmë se këto mesazhe e qortime po vijnë nga shteti më i fuqishëm në botë, për shtetin më të pafuqishëm në botë. Pra me këtë rast duhet të kemi vesh dhe vëmendje që të jemi më të qetë dhe më strategjik sepse përndryshe mundemi prapë të penalizohemi”, ka thënë profesori Dritëro Arifi.

Ndërsa Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”, thotë se e gjitha këto mesazhe nga Perëndimi lidhen edhe me mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

“Ata qëndrojnë dmth pas dialogut të tanishëm dhe procesit, por edhe qëndrojnë pas ndërmjetësuesit Lajcak, që dmth se perëndimi në përgjithësi nuk ka mirëkuptim dhe nuk pranon kritikat e Kurtit dhe nga ana tjetër nuk është një faktor i gatshëm që të heq dorë nga procesi aktual dhe kornizave aktuale të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”.

Të pa baza, sikurse Escobar, kritikat e Kurtit karshi ndërmjetësuese të dialogut, i ka quajtur edhe Bashkimi Evropian.

Kurti e Vuçiq, janë takuar më 14 shtator në Bruksel, por takimi i tyre nuk solli asnjë rezultat. /Dukagjini/