Lajme

Kërkohen sanksione kundër Serbisë për moszbatim të marrëveshjes bazike

By GAZETA SCANNER 1

April 10, 2023

Presidenti i Serbisë vazhdon të bëjë deklarata kontradiktore në lidhje me obligimet e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj. Sërish Vuçiq ka deklaruar se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes. Përderisa në Bashkimin Evropian nuk kanë komentuar deklaratat e tij shkaku i festës së Pashkëve, në Kosovë kërkohet që Serbia të nis të sanksionohet.

Pa nënshkrime, u pajtuan në Bruksel e më vonë në Ohër për Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e zbatimit të saj.

Por derisa nga Kosova vijnë zotime për implementimin e obligimeve që dalin nga dy dokumentet, të kundërtat vijnë nga Serbia.

Serish, presidenti serb Vuçiq ka paralajmëruar publikisht se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Për deklaratën e liderit serbë dhe se cili do të jetë veprimi karshi Serbisë për mosrespektim, gjatë së hënës përgjigje nuk kanë dhënë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, me arsyetimin së është ditë feste.

Zëdhënësit të  Bashkimi Evropian-Peter Stano  ka theksuar se “Faleminderit për emalin tuaj, BE-ja po feston festat e Pashkëve, orari normal i punës do të rifillojë të martën”.

Përgjigje për këtë nuk kanë kthyer as nga kabineti i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, por kundër tyre kanë reaguar zyra e Presidentes Vjosa Osmani.

Shefi i kabinetit, Blerim Vela ka kërkuar sanksione ndaj shtetit serbë.

Blerim Vela- shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani ka theksuar se “Vuçiq për RTS-në e Serbisë duke folur për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën: Ne do të zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë atë që nuk do të zbatoj.

“Një kundërthënie e pastër me atë që është pajtuar dhe me qëndrimin e Bashkimit Evropian. Sanksionet duhet të pasojnë,” ka shkruar Vela në twitter.

Sanksione ndaj Serbisë në rast se nuk do të zbatohet në plotni marrëveshja, nga Bashkimi Evropian po kërkojnë edhe njohësit e çështjeve politike në vend.

Arbnor Sadiku, analist, ka theksuar se “ Sanksionet mund të jenë dhe duhet të jenë për Serbinë nëse nuk e respektojnë marrëveshjen. Njëra ndër to duhet të jetë tërheqja e investitimeve në shtetin serbë dhe në anën tjetër të ketë edhe heqje të liberalizimit të vizave për ta. Ndërsa në perspektivën afatgjate duhet ti  mohohet Serbisë rruga evropiane dhe të jetë e izoluar”.

Gazmir Raci, analist ka theksuar se “ Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për planin franko-gjerman dhe ky dokument është obligues për Serbin pasi kapitulli i 35 e merr në përgjegjësi shtetin serbë për mi zbatuar të gjitha obligimet. Nëse Serbia nuk i respekton atëherë ajo do të penalizohet në rrugëtimin e  saj drejt Bashkimit Evropian dhe Gjermani dhe Franca si garantuese të këtij plani duhet t’ia bëjnë të qartë shtetit serbë se duhet zbatuar të gjitha pikat”.

Një reagim i qartë nga Brukseli në lidhje me deklaratat e vazhdueshme kundërthënëse të Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë të pushtetit në Serbi nuk ka ardhur deri tani.

Ditë më parë, pas takimit të 4 prillit të nivelit të kryenegociatorëve, Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë Jashtme, tha se palët duhet t’i respektojnë të gjitha detyrimet dhe të fillojnë zbatimin e tyre sa më shpejt, duke përfunduar me thirrjet që palët të shmangin përshkallëzimin e situatës.