Lajme

Kërcënohet prokurori Ersan Qavolli për rastin e bimëve narkotike që u kapën në Pejë, reagon KPK e ZPKSH

By GAZETA SCANNER 1

October 11, 2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë dënuar ashpër kërcënimet e bëra përmes rrjeteve sociale ndaj prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, Ersan Qavolli, për të cilat thanë se vijnë si rrjedhojë e punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit.

“KPK dhe ZKPSH theksojnë se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme, andaj ua bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli dhe do t’i ofrojnë mbështetje të plotë për punën e tij në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”.

KPK dhe ZKPSH thanë se në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kërcënuar prokurorin Qavolli dhe shtuan se njëkohësisht janë duke e trajtuar seriozisht këtë veprim penal “gjer në ndriçimin e plotë të tij, i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të tij kushtetuese dhe ligjore”.

“Në këtë drejtim, KPK-ja dhe ZKPSH-ja, sigurojnë opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla, çfarëdo qofshin dhe nga kushdo qofshin, të cila bëhen ndaj prokurorëve të shtetit nuk do t’i zmbrapsin asnjëherë synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Qavolli është edhe zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Në fund të shtatorit, mbi një ton drogë u sekuestrua nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndërsa vlera e saj ishte rreth 5 milionë euro, Ky operacion ishte ndër më të mëdhenjtë antidrogë.