Lajme

Kërcënimet serbe karshi rajonit

By GAZETA SCANNER 1

August 25, 2023

Kosova, nuk është vendi i vetëm në radarin e politikës së Serbisë, që si synim ka destabizimin dhe tensionet në vendet fqinje.

Pasi që disa herë kishte ngritur nivelin e sigurisë në raport me Kosovën duke i ofruar edhe trupat ushtarake në afërsi të zonës së sigurisë, Serbi, së fundmi ka kërcënuar edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut duke ju thënë se do të goditen si Ukraina, për shkak se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Profesori Universitar nga Maqedonia e Veriut, Mersel Bilalli, thotë se këto kërcënime të Serbisë nuk janë reale dhe se atapo zhvillon një politikë të dyfishtë.

“Unë mendoj se dëshirat e saj mund të jenë të tjera, por mundësitë e saja janë se Serbia mund të ekzistoi vetëm konform proceseve euro-integruese …Më duket se loja është e dyfishtë pra, objektivisht duhet të mbahet kondicioni nacionalist i një strukture që për momentin është prezent në Serbi dhe ajo duhet të ushqehet. Dhe në anën tjetër pra të ndërmerren hapa konkrete në drejtim të timonit që të kthehet nga perëndimit”, tha Bilalli.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se potenciali real i Serbisë, është të destabilizoi vendet e rajonit nga brenda.

“Ajo ka potenciale që t’i destabilizoi këto vende nga brenda. Gjithë ajo çka është duke ndodhur tash në Mal të Zi është një aktivitet i veprimeve të fshehta që  Serbia dhe Rusia ndërmarrin në vazhdimësi ndaj Malit të Zi… Në anën tjetër edhe në Maqedoni ka baza të mjaftueshme që ta destabilizoi edhe Maqedoninë nga brend”, deklaroi Kajtazi.

Sa u përket institucioneve të Kosovës, ato e vlerësojnë ende si shumë të lartë shkallën e rrezikshmërisë nga Serbia për sigurinë e saj, çka konkludohet edhe në Strategjinë Kombëtare të për Sigurisë.