Lajme

“Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës”, Ismet Ibishi: Strukturat politike të jenë më të përmbajtura me deklarata të tilla

By GAZETA SCANNER 1

July 05, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje, ashtu siç sipas tij, është në rritje edhe demokracia e saj.

Në një opinion të botuar në “The New York Times” në të cilin ka përshkruar rolin e NATO-s dhe arritjet e saj në Kosovë, Kurti ka shkruar për kërcënimet për luftë në Evropë, duke thënë se një fornt i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë, po aq sa Serbisë.

Në lidhje me këtë, ish-ushtaraku, Ismet Ibishi ka thënë se akterët politikë duhet të jenë të kujdesshëm me deklarata të tilla pasi populli i Kosovës ka përjetuar një luftë e cila ka pasur pasoja dhe “situata nuk është me rrezikshmëri” ashtu siç po deklarohet.

“Asnjëherë nuk ka qenë më e vampirume politika serbe, është një aktivitet i paparë, krejt kjo lidhet me situatën dhe çështjen e luftës në Ukrainë. Ne jemi nën ombrellën e NATO-s, çështja territoriale i takon NATOS, KFOR-it, ndërsa rasti i Banjskës është çështje aktuale mund të ndodhë çdoherë madje edhe kur nuk jemi nivel të detyrës, që ata të organizojnë gjëra të tilla. Strukturat politike duhet të jenë të përmbajtura, populli ka përjetuar luftë, e din qysh janë. Nuk është rrezikshmëria për të cilën po flitet”, ka deklaruar Ibishi.

Sipas tij, kërcënimet e Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës nuk janë të befasishme, pasi siç thotë ai Serbia ka proklamuar një politikë kontinuele ndaj Kosovës.