Ballina

Kënaqshmëria ndaj punës së kryeministrit bie nga 52.6 % në 44.9 % për gjashtë muaj

By GAZETA SCANNER 1

March 10, 2023

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar edicionin e 23 të Përmbledhjes Pulsi Publik. Anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022 përshkruan gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.

Si tek të gjitha publikimet e mëparshme, të dhënat dhe treguesit janë zbërthyer sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë në mënyrë që të sigurohen informata të detajuara mbi dallimet në perceptimet për sfidat zhvillimore me të cilat përballen qytetarët në Kosovë.

“Në anketën e opinionit tetor-nëntor 2022, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41%, një rënie për 6.2 pikë përqindjeje nga anketa e prillit 2022 kur ishte 47.2%. Niveli i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit kapi vlerën prej 44.9%, një rënie për 7.7 pikë përqindje nga prilli 2022 kur ishte 52.6%”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në raportin me anketën e majit të vitit 2021, kënaqshmëria ndaj performancës së kryeministrit Albin Kurti ishte 59.50%, kurse e performancës së ekzekutivit 59.10%.

Gjithsej kanë qenë një mijë e 306 të anketuar nga data 21 tetor deri më 3 nëntor 2022 në gjithë territorin e Kosovës, me numër të barabartë të meshkujve dhe femrave dhe grupeve etnike që jetojnë në Kosovë.