Lajme

Kelmendi zbulon se biseda e Bedri Shabanit me BIA-n u bë një ditë pas sulmit në Banjskë

By GAZETA SCANNER 1

June 06, 2024

Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se sipas burimeve të tij nga institucione të besueshme, biseda telefonike e publikuar nga portali “The Geopost” që pretendohet se është mes të arrestuarit për spiunazh, Bedri Shabanit dhe një pjesëtari të BIA-s serbe është zhvilluar më 25 shtator, një ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në bisedën e publikuar nga portali “The Geopost”, dëgjohet një bisedë ku thuhet “e patë se çka ndodhi dje”.

Ndërsa Besnik Berisha, avokati i Bedri Shabanit, tha se nëse kjo bisedë është incizuar më 25 shtator, ekziston një aktvendim i gjykatës për fillim të hetimeve më 6 tetor, rreth 10 ditë më vonë.

“Dhe nëse shteti ynë ka pritur 10 ditë, ajo e plotëson kushtin e provës së papranueshme ligjërisht. Kemi një dështim të një prokurori që e paska pasur këtë material. Nëse kjo është incizuar nga një agjenci e jona apo e huaja, e provon se prokuroria ka qenë në gjumë. Materiali që është publikuar me atë tekst, mund të ia mësyjmë këtu e në Strasburg se asnjë fjali nuk mund të konsiderohet spiunim”, tha Berisha në Rubikon në Klan Kosova.

Ndërsa, në bisedën e publikuar nga portali “The Geopost”, në një rast thuhet se “po presim që t’i vihet flaka dhe ne do t’i hedhim benzinë edhe më tepër dhe të reagohet nga të dy anët, sepse është një barrë shumë e madhe për ne që ta bëjmë vetë”.