Lajme

Kelmendi për inskenimet ndaj gazetarëve: Po cenohet siguria jonë dhe ajo kombëtare

By GAZETA SCANNER 1

August 09, 2024

Gazetarë të njohur nga Kosova, udhëheqës emisionesh e pronarë mediash, janë bërë pjesë e një fushate ku identitetet e tyre po përdorën nga disa faqe interneti, të kamufluara si portale aktive.

Lidhur me këtë ka folur gazetari, Adriatik Kelmendi, i cili është shprehur se përmes kësaj fushate jo vetëm që cenohet siguria e tij dhe e gazetarëve të tjerë të përmendur, por cenohet edhe siguria kombëtare.

Kelmendi po ashtu u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.

“Mua më kontaktuan disa kolegë se a jam në dijeni për një lajm që po qarkullon. U zura në befasi se nuk e dija se për çfarë po bëhej fjalë, por iu thashë se sigurisht një shaka e keqe e dikujt. Natyrisht se unë nuk kam të bëjë me këtë, dhe nuk kam folur me këta persona në rrjetet e mia sociale, por në atë kohë nuk i kisha parë të gjitha. Por pastaj në mëngjes i pash se kishin vazhduar këto montazhe edhe me kolegë të tjerë edhe në forma të ndryshme, dhe natyrisht e para që dua të them është një montazh, për mua dhe për disa kolegë të tjerë, duhet shikuar se kush qëndron prapa tyre, duket një formë e sofistikuar me qëllime, ku do të merren vesh me kohë, pasi duhet hulumtuar, pra mund të jenë për të kërkuar para, për t’i vënë njerëzit në lajthitje”, u shpreh Kelmendi në Edicionin Special të Klan Kosova.

“Duhet ta shfrytëzojë këtë paraqitje për t’iu thënë njerëzve të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, absolutisht nuk ka diçka të vërtetë nga ato që janë quajtur biseda mes neve kolegëve”.

“Këto nuk janë sulme të drejtpërdrejta ndaj nesh, këto janë tentime për mashtrime duke përdorur emrat tanë, kështu që unë mendoj se iu përket institucioneve të vendit që të vihen në gjurmim të atyre që i kanë punuar këto, dhe qëllimeve të tyre, motiveve, për shkak se unë vlerësoj se këtu cenohet jo vetëm siguria jonë, por ka synim të cenojë edhe sigurinë kombëtare. Përmendet Banka Qendrore e Kosovës, pra kërkohet që njerëzit të investojnë në skema të dyshimta, nuk e di se a ekzistojnë ato, apo jo, por natyrisht kur njerëzit shohin figura që iu besojnë, pra siç janë gazetarët, mund të bien pre dhe të investojnë para”, tha autori i Rubikon.