Lajme

Kelmendi: Masa ndaj produkteve serbe eksperiment politik

By GAZETA SCANNER

October 08, 2024

Biznesmeni, Ramiz Kelmendi, e konsideron eksperiment politik vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdarë.

Kelmendi, ka thënë se Qeveria Kurti ‘lëshoj pe’ pas siç e ka quajtur ai, kërcënimit të Gjermanisë, edhe pse është dashur që të gjitha lëshimet t’i bëjë së pari për miqtë amerikanë e pastaj për miqtë evropianë.

“Unë po mendoj se edhe kjo qeveria e rradhës e bëri një eksperiment politik duke vendosur masa ndaj prodhimeve të prodhuara në Serbi edhe të bizneseve ndërkombëtare që i kanë blerë fabrikat në Serbi. Por që edhe nuk veproj sipas këshillave të mikut tonë më të madh amerikan dhe u detyruam që ta heqim masën me detyrim me një kërcënim tash përfundimtar të cilin po mendoj se qeveria është dashur të jetë vigjilente dhe së pari ti dëgjoj miqtë amerikan dhe të gjitha lëshimet ti bëjë së pari pë rata e pastaj për miqtë evropian”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit”, në tëvë1.

Më tej, Kelmendi ka shtuar se bllokada ndaj mallrave serbe ka qenë favorizim për të gjithë ata prodhues vendor të cilët kanë ditur ta shfrytëzojnë.

“Me këtë bllokadë është favorizuar nëse prodhuesi vendor ka ditur ta shfrytëzojë, por qeveria gjithmonë ka masa tjera të përhershme që e bëjnë prodhuesin vendor dhe prodhimin vendor më të fuqishëm. Masat mund ta krijojnë një kohë të shkurtër të veprimit pozitiv, por jo në formë të përhershme”, ka deklaruar ai.

Të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdarë.

Kryeministri Kurti, në një konferencë për media, deklaroi se kjo masë që po bëhet vetëm në një pikë kufitare është e mjaftueshme për proceset që vinë ditëve në vijim, ku përfshihet edhe heqja e kushtit nga Gjermani për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit.

“Këta kanë biseduar, kanë negociuar edhe me Bashkimin Evropian në veçanti me Gjermaninë dhe ne besojmë që ndryshimi i masës që e bëjmë është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në procesin e Bernlinit të kemi sukses të plotë“, tha ai.