Ballina

“Kë po provoni ta mashtroni”- polemika mes Bajramit e Muratit për rritje ekonomike

By GAZETA SCANNER 1

March 17, 2024

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka polemizuar me ministrin aktual të Financave, Hekuran Muratin, lidhur me një postim të tijin për rritje ekonomike përgjatë Qeverisë Kurti.

Bajrami ka prezantuar statistikat e ASK’së për Bruto Produktin Vendor në Kosovë përgjatë viteve. Sipas asaj statistike, del se Qeveria Kurti s’i ka sjellë ndonjë rritje të madhe ekonomisë vendore.

“Derisa gjatë këtij mandati ka pasë inflacion enorm mbi 23% në kumulativ (2021: 3.4%; 2022: 11.6%; 2023: 5%; shkurt 2024: 2.2%), janë dhënë mbi 240 milionë euro tenderë njëburimor e investimet kapitale të nivelit qendror në 2023 janë sa ato të vitit 2017 vetëm 349 milion euro”, ka shkruar ajo, duke pyetur “Kënd po provoni ta mashtroni?”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia në Kosovë është rritur edhe në tremujorin e katërt të vitit që shkoi.

Murati këtë e ka thënë me anë të një postimi në ‘Facebook’. Në po atë postim iu është referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke thënë se rritja e ekonomisë në tremujorëshin e fundit të 2023-ës ishte 3.96 për qind.

“Ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme”, ka deklaruar ai.

“Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona”.

“Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”.