E vetmja gjë që do të shpëtojë njerëzimin dhe Evropën këtë vit është një dimër i ngrohtë, tha Saad Sherida Al-Kaabi, ministri i energjisë i Katarit, gjatë Forumit Ekonomik të Katarit në Doha.
“Nëse ekonomia trazohet sërish në vitin 2024 dhe dimri është normal, mendoj se më e keqja nuk ka ardhur ende”, tha Saad Sherida Al-Kaabi, duke vlerësuar situatën në tregun e energjisë, raporton Anadolia.
Ai theksoi se burimet e ripërtëritshme të energjisë janë vetëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe se kjo nuk i zgjidh problemet dhe se vendet kanë nevojë për një përzierje të përshtatshme të burimeve të energjisë.
Që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase të vitit të kaluar në shkurt, çmimet e produkteve energjetike, veçanërisht të gazit natyror, janë rritur ndjeshëm.
Historia e re e rritjes globale
Forumi Ekonomik i Katarit, i organizuar nga Bloomberg, po mbahet në Doha me temën “Historia e re e rritjes globale”.
Veprimtaria, ku marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive, ministra dhe CEO, do të diskutojë energjinë, tregtinë dhe teknologjinë.
Në ceremoninë e hapjes, Michael R. Bloomberg, themelues i Bloomberg LP dhe Bloomberg Philanthropies, tha se novatorët dhe udhëheqës nga 100 vende do të mblidhen për forumin vjetor.
“Ne do të shikojmë politikën globale dhe tregtinë globale nga perspektiva e vendeve që po ndryshojnë rregullat,” tha ai. “Ne jemi bashkuar për dialog, për të propozuar zgjidhje dhe për të përforcuar zërat e liderëve globalë që mendojnë përpara.”