Analisti amerikan dhe profesori, Edward P.Joseph, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kosovë dhe veprimet e Qeverisë Kurti në raport me veriun e vendit, përkatësisht mbylljen e pikave të postës serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
Joseph ka rikujtuar një shkrim autorial të kryeministrit Albin Kurti të publikuar ditë më parë në gazetën amerikane “The New York Times” ku kryeministri kosovar flet për paqen si një punë e vështirë dhe dinamike që duhet të ruhet dhe që konflikti në Ballkan tërheq lojtarët e huaj në kufi dhe kërcënon sigurinë e Evropës.
Joseph në reagimin e tij ka thënë se kryeministri Albin Kurti me veprimet e tij “të njëanshme dhe të pakoordinuara” me SHBA-në, ka kundërshtuar qëndrimet e tij të thella të cilat i ka shkruar në shkrimin autorial në New York Times e datës 5 korrik.
Joseph ka shkruar se mbyllja e postave serbe në mënyrën se si e ka bërë Qeveria Kurti e cenon paqen dhe se rritja e tensioneve i përshtatet interesave të Rusisë dhe Serbisë.
“Veprimet provokuese e bëjnë shumë më të vështirë për serbët etnikë që t’i bashkohen institucioneve të Kosovës dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në demokracinë e Kosovës”, shkruan Joseph, raporton Express.
Megjithatë Joseph shkruan se veprimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti e vërtetojnë atë që Kurti shkruan me dorën e vetë në The New York Times se roli i NATO-s në Kosovë edhe pas 25 vitesh ndërhyrje, mbetet më vendimtar se kurrë.
“Nga ana tjetër, veprimet e fundit të Kurtit vërtetojnë vëzhgimin më të mprehtë nga shkrimi i tij në Times:“Një çerek shekull pas ndërhyrjes së saj, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata [mjerisht] është më vendimtare se kurrë.””, shkruan Joseph.
Në fund analisti dhe eksperti amerikan thotë se interesat strategjike të Kosovës janë që të ecet përpara drejt anëtarësimit në NATO, për të mos e lënë Kosovën si protektorat të përhershëm të NATO-s.
Joseph i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të tërhiqet nga veprimet e datës 5 gusht dhe të kthehet tek fryma e artikullit të publikuar në The New York Times të shkruar më 5 korrik.