Botë

Johnson kundër ndarjes së Skocisë

Kryeministri britanik Boris Johnson është shprehur se qeveria e tij do të kundërshtojë ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar.

Komentet e tij pasojnë intensifikimin e thirrjeve për një referendum të dytë për pavarësinë e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.

Duke folur në Dhomën e Komuneve të martën, Johnson tha se ‘ata do të vazhdojmë t’i vënë në jetë gjërat që janë me përparësi për popullin britanik, si transformimi i Shërbimit shëndetësor kombëtar dhe investimet masive në arsim dhe forcat e policisë’.

“Anëtarë të nderuar të kësaj Dhome besojnë se duhet t’u bëjmë ballë thirrjeve të atyre që duan ta ndajnë Mbretërinë e Bashkuar,” deklaroi Johnson.

Kjo është hera e parë që prej fitores së tij në zgjedhje javën e kaluar që Johnson flet para ligjvënësve britanikë të mbledhur në seancën e Parlamentit.

Vendosmëria e Johnson për realizimin e Brexit-it e ka përplasur atë me administratën pro-pavarësisë të Skocisë.

Përndryshe, skocezët votuan për qëndrimin në BE në referendumin e Britanisë në vitin 2016.

Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, është shprehur se skocezët nuk duhet të detyrohen të largohen nga BE-ja kundër vullnetit të tyre.

Por Johnson ka deklaruar se nuk do të miratojë një referendum për pavarësi, sepse Skocia e ka zhvilluar një të tillë në vitin 2014, gjë që është quajtur si një ngjarje që ndodh një herë në një brez.