Çdo vit, të ftuarit e ceremonisë më të madhe filmike në botë, Oscars, marrin dhurata luksoze, vlera e të cilave matet në dhjetëra e madje qindra mijëra dollarë.
Kësaj radhe yjet e filmit kishin në dispozicion udhëtime luksoze, produkte të panumërta për kujdesin e lëkurës, pije të ndryshme, por edhe dhurata të destinuara për kafshët shtëpiake, si “superushqim” për macet.
Aktorët dhe aktoret e Hollivudit kanë mundësinë të qëndrojnë në Zvicër, në një nga shtëpitë tradicionale ose të udhëtojnë drejt relaksimit holistik të mirëqenies jo shumë larg Los Anxhelosit dhe më pas të kalojnë tre netë në ishullin St. Barts.
Produktet për bukurinë dhe kujdesin shëndetësor zënë edhe këtë vit një pjesë të madhe të paketës, ndaj ka trajtime të ndryshme kozmetike, por edhe suplemente që premtojnë rigjenerimin e mëlçisë.
Nga ky vit, në paketim përfshihen produkte ushqimore me bazë marihuanë, si dhe shishe me pije alkoolike premium, shkruan Guardian. Në dispozicion të tyre do të jenë edhe “Konsultat klinike për gjumë cilësor”.
Paketa, e cila quhet “Të gjithë fitojnë”, është menduar vetëm për aktorët dhe regjisorët e nominuar për çmime. Ashtu si vitin e kaluar, vlera e paketës llogaritet në rreth 125,000 dollarë.
Do të ketë gjithashtu çmime “ngushëllimi” për të ftuarit e tjerë, si një koleksion i shtypur citatesh filmash, një prodhim special i Kubit të Rubikut, një libër për fëmijë për mirësinë dhe ndjeshmërinë dhe kartolina falënderimi që inkurajojnë lidhjen midis brezave. Ata që nuk e fitojnë Oscarin do të marrin sërish një statujë edhe më të veçantë: portretin e tyre 3D me ngjyra, nga kompania Havajane “Dooplikit”./