Lajme

Jasharaj: Qeveria me masa ndëshkuese e kërcënime u mundua ta shuajë zërin sindikal

By GAZETA SCANNER 1

March 07, 2024

Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, në një komunikatë për media ka thënë se 7 marsi ështe një nga datat më të veçanta të kombit shqiptar.

Ai i ka uruar festën të gjithë mësuesve.

“Punëtorë të arsimit, kolege e kolegë anëtarë të SBASHK-ut Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe është një nga datat e veçanta të kombit tonë sepse na kthen kujtesën te sakrificat sublime të atdhetarët e shumtë që edhe kombi ynë ta mësojë e kultivojë gjuhën, kulturën, historinë e artin kombëtar. Kjo datë sjell emocione të veçanta në Kosovë sepse rrugëtimi i arsimit dhe shkollës shqipe u përball me shumë sulme e furtuna të pushuesit. Një pjesë e lavdishme e arsimit tonë ishin edhe vitet e 90-ta kur punëtorët e arsimit duke bërë sakrifica sublime mbrojtjen arsimin shqip duke mbrojtur dritën kundër errësirës. Bota demokratike u mahnit me këtë gatishmëri e sakrificë të punëtorëve arsimor të Kosovës dhe u qendroi pranë duke u dhënë përkrahje e motiv për të vazhduar për plot 9 vite me radhë në këtë mision të shenjtë. Urime dhe respekt në këtë ditë të madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe për të gjithë pishtarëve dijes që nëpër vite e dekada vazhduan misionin e shenjtë të edukimit të brezave.”

Jasharaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci meritojnë kritika sepse sipas tij nuk realizuan kërkesën për kushte më të mira të punës.

Jasharaj ka thënë se ata janë munduar që ta shuajnë zërin sindikal përmes “masave ndëshkuese e duke kërcënuar edhe me ndalje të pagave”.

“Tash kur në vitin 2014 po shënohet kjo datë e madhe e bazuar në realitetin e kohës dhe veprimet ndëshkuese të Qeverisë Kurti shtrohet pyetja e thjeshtë se çfarë do t’u thonë atyre kryeministri Kurti, ministri Murati e ministrja Nagavci? Ata meritojnë kritika sepse nuk realizuan kërkesën tonë për kushte më të mira të punës e për ta zëvendësuar shkumësin e shpuzën me mjete të punës të shekullit 21. Ata u munduan masa ndëshkuese e duke u kërcënuar edhe me ndalje të pagave të shuajnë zërin sindikal. Ata sollën zhgënjim me ligjin e pagave dhe shtuan shumë pakënaqësitë me rritjen ironike të koeficionetit të pagave nga 105 në 110 euro e jo sa ishte kërkesat e arsyeshme e jona që koeficienti të kishte vlerë se paku 130 euro. Ata po prekin në emër të ndryshimeve e plotësimit të ligjeve në të drejtat e fituara duke vështirësuar jetën e punëtorëve të arsimit e veçmas të pensionistëve.”

Kryesindikalisti Jasharaj i ka akuzuar ata se po i ikin dialogut.

“Ata po veprojnë kokë me vete dhe po i ikin dialogut për ta dëgjuar zërin e mësuesit dhe shqetësimet e kërkesat e tij. Kemi edhe shumë kritika, por nuk po i themi që të mos zbehen krejt momentet në aktivitetet festive që SBASHK ka organizuar e po organizon edhe sot nëpër komuna e universitete në shenjë respekti të pishtarëve të dijes dhe ditës së madhe të mësuesit e shkollës shqipe.”