Botë

Japonia ndan 470 milionë dollarë ndihmë për rindërtimin e Ukrainës

By GAZETA SCANNER 1

March 31, 2023

Japonia ka vendosur që të ndajë dy pako ndihmash me vlerë të përgjithshme prej 470 milionë dollarësh për rindërtimin e Ukrainës, përfshirë sektorin e energjisë.

Ambasadori i Japonisë në Ukrainë, Matsuda Kuninori, dhe zëvendëskryeministri për restaurim i Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, i nënshkruan “letrat për Grantin “Programi për Rimëkëmbje Urgjente, Faza 2” me vlerë 53,072 miliardë jenë (400 milionë dollarë amerikanë)” të mërkurën, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Japonisë.

Në njoftim thuhet se përmes kësaj ndihme, Ukraina do të furnizohet me pajisjet e nevojshme për kryerjen e deminimit dhe pastrimit të rrënojave, gjë që thuhet se është “parakusht për rimëkëmbje e rindërtim”, si dhe për rindërtimin e jetesës, rimëkëmbjen e bujqësisë dhe fuqizimin e demokracisë dhe qeverisjes, raporton agjencia “Anadolu”.

Ministria tha se pakoja e dytë e ka vlerën e 70 milionë dollarëve dhe do t’i jepet Kievit përmes Programit për Zhvillim nga UNDP-ja. Kjo nidhmë do të përdoret për ta përkrahur restaurimin e infrastrukturës energjetike që është dëmtuar nga sulmet ruse, “duke kontribuuar për rimëkëmbjen dhe fuqizimin e furnizimit me energji të Centraleve të Kombinuara të Rrymës dhe Ngrohjes, që e furnizojnë popullin ukrainas me energji elektrike, ngrohje dhe ujë”.

Në deklaratë thuhet se këto dy pako ndihmash janë njoftuar nga kryeministri japonez, Fumio Kishida gjatë vizitës së tij në Ukrainë më 21 mars.

“Japonia do t’i vazhdojë përkrahjen dhe qëndrimin me popullin e Ukrainës, i cili është duke u ballafaquar me vështirësi, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë anëtarët e Grupit G7”- thuhet në deklaratë.