Sport

“Jam me fat që kam lojtarë të tillë” – Trajneri i Torinos i lumtur me Vojvodën

Trajneri i Torinos, Davide Nicola, e ka lartësuar Mërgim Vojvodën për golin me të cilin mbrojtësi kosovar e frytëzoi skuadrën e tij drejt një fitoreje vendimtare kundër Parmës në betejën e mbijetesës në Serie A.

Përfaqësuesi i Kosovës, Vojvoda e shënoi golin e parë në fanellën e Torinos të hënën në Stadiumin Olimpik, duke ia siguruar pothuajse edhe matematikisht mbijetesën skuadrës së tij dhe duke e dërguar Parmën në Serie B, njëkohësisht.

Vojvoda shënoi në portën boshe pasi erdhi me vrap nga plani i dytë, duke e shfrytëzuar depërtimin dhe pasimin fantastik nga Christian Ansaldi në minutën e 63-të.

Nicola, i cili e parapëlqeu kosovarin para Wilfried Singos në krahun e djathtë, u shpreh shumë i lumtur që Vojvoda e shfrytëzoi mundësinë që iu ofrua.

Duke folur pas ndeshjes, Nicola tha: “Mes pezullimeve dhe koronavirusit, unë jam gjithmonë në gjendje të zgjedh se kush mund të më ofrojë më së shumti mua”

Ai shtoi: “Singo po luan mirë dhe do të bëhet top lojtar në rolin e tij, por unë jam me fat që kam lojtarë të cilët dinë sesi t’i shfrytëzojnë mundësit. Jam i lumtur për Vojvodën, edhe nëse ai ka mundur ta shfrytëzonte më mirë mundësinë e dytë që e kishte”.

Ky ishte goli i parë në mbrojtësit të djathtë 26-vjeçar në 25 paraqitje zyrtare për Torinon në të gjitha garat këtë sezon dhe i pari që prej se iu bashkua klubit në verën e kaluar.

Vojvoda ka pasur vështirësi të zërë vendin e titullarit në skuadrën e Nicolës, shkaku i konkurrencës së madhe nga Singo, duke i bërë vetëm 14 paraqitje si titullar tërë sezonin.