Lajme

Ja sa shpenzoi diaspora gjatë pushimeve në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

August 27, 2023

Po kthehen në kurbet.

Por, gjatë kohës që qëndruan në Kosovë, bashkatdhetarët shpenzuan 1.22 miliard euro.

Këtë njoftim e bëri Banka Qendrore e Kosovës, përmes Raportit të Stabilitetit Financiar.

Kështu, ata i sollën ekonomisë së vendit një rritje vjetore prej 6 përqind.

E këtë e shohin si pozitive njohësit e kësaj fushe.

“Kjo është shenjë e mirë, por kur e mendojmë që këto janë vetëm remitencat e raportuara, imagjinoni se sa është joformaliteti ose mënyrat të cilat nuk regjistrohen transaksionet për paratë që vijnë nga jashtë në Kosovë”

Por, ku dedikohen këto remitenca?

“Tendeca për shpenzimin e këtyre remitencave është kryesisht e orientuar në konsum, në produktet e konsumit dhe në shërbimet e përditshmërisë po kemi pa edhe një orientim edhe të investimit të këtyre remitencave kryesisht në patundshmëri, në ndërtime, në toka, në prona të tjera të paluajtshme”, thuhet nga BQK.

Megjithatë, sa i përket kësaj çështjeje, ekonomistët kanë kritika për qeverinë.

“Problemi është që është një defekt tek qeveritë, edhe tek kjo qeveri që nuk ka bërë diçka më shumë që këto remitenca të kthehen në investime, që ato investime do të ndikonin në punësim, natyrisht që do të ndikonin edhe në mirëqenie dhe kushtimisht edhe zhvillim ekonomik për faktin që momentin që një biznes funksionon dhe vepron si biznes ai krijon të hyra dhe ato tatohen që do t’kishte me ndiku tek arka e shtetit”, vlerëson Mustafë Kadriaj ekonomist.

Remitencat sipas Raportit të Stabilitetit Financiar përfaqësojnë 13.7 përqind të Bruto Produktit Vendor.