Botë

Izraeli: Të gatshëm të përballemi me çdo skenar kërcënues iranian

By GAZETA SCANNER 1

April 08, 2024

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka deklaruar se vendi është i gatshëm të trajtojë çdo skenar të Iranit pas kërcënimit se do të hakmerrej për vrasjen e gjeneralëve më 1 Prill.

Një zyrtar iranian tha të dielën se ambasadat izraelite nuk ishin të sigurta dhe një agjenci e lajmeve publikoi një grafik që tregonte armët, që sipas saj, do të ishin të afta për të goditur Izraelin.

Zyra e ministrit izraelit të Mbrojtjes ,Yoav Gallant bëri deklaratën për gatishmërinë pasi ai mbajti një “vlerësim të situatës operacionale” me oficerë të lartë ushtarakë.

“Pas përfundimit të vlerësimit, ministri Gallant theksoi se struktura e mbrojtjes ka përfunduar përgatitjet për përgjigje në rast të ndonjë skenari që mund të zhvillohet përballë Iranit”, tha zyra e tij.

Irani ka kërcënuar se do t’i përgjigjet një sulmi të dyshuar izraelit në Damask që vrau shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane, mes tyre një komandant të lartë.

Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Yahya Rahim Safavi, tha të dielën se asnjë nga ambasadat e Izraelit nuk ishte më e sigurt dhe se Teherani e sheh konfrontimin me Izraelin si një “të drejtë legjitime dhe ligjore”.