Botë

Izraeli i ofron Italisë gaz, por dëshiron që Roma t’ia njohë Jerusalemin kryeqytet

By GAZETA SCANNER 1

March 09, 2023

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dëshiron që vendi i tij t’i fuqizojë lidhjet ekonomike me Italinë, tha ai para vizitës në këtë shtet, duke e ngritur mundësinë e furnizimit të vendit evropian me gaz natyror.

“Do të doja të shoh më shumë bashkëpunim ekonomik… Besoj se një marrëdhënie më e ngushtë me kompanitë tuaja do të jetë pozitive për të dyja palët”- tha Netanyahu në një intervistë për gazetën italiane, “La Republika”, të publikuar të enjten.

“Pastaj është gazi natyror: kemi shumë gaz dhe do të doja që të diskutojmë se si ta çojmë atë në Itali për ta përkrahur rritjen tuaj ekonomike”- shtoi ai.

Italia është e përkushtuar që ta zëvendësojë importimin e energjisë nga Rusia pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

Në qershorin e vitit të kaluar, Izraeli dhe Egjiptit nënshkruan një marrëveshje me Bashkimin Evropian me qëllim të fuqizimit të eksportit të gazit natyror në Evropë.

Në nëntor, Izraeli nënshkroi një marrëveshje fillestare me kompanitë “TotalEnergies” dhe “Eni” për t’ua lejuar atyre fillimin e eksplorimit për gaz natyror brenda kornizës së një marrëveshjeje të rëndësishme për kufirin detar me Libanin.

Netanyahu do të arrijë në Itali të enjten për një vizitë treditore. Ai i tha gazetës italiane se do të kërkojë nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, që vendi i saj ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Besoj se ka ardhur koha që Roma ta njohë Jerusalemin si kryeqytet stërgjyshor të popullit hebre për tre mijë vjet, siç bënë Shtetet e Bashkuara me një gjest të miqësisë së madhe”- tha Netanyahu.

Izraeli pretendon se e ka Jerusalemin kryeqytet, por një gjë e tillë nuk njihet nga shumica e shteteve dhe statusi i këtij vendbanimi është i kontestuar në të drejtën ndërkombëtare.