Lajme

Isufi: Pse të flirtosh me Lajçakun e Borrellin, kur e ke Bidenin dhe administratën e tij

Ish-deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të orientohet kah SHBA-të për ta gjetur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

Isufi ka thënë se Kurti s’duhet të humbë kohë duke flirtuar me përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell e Miroslav Lajçak por të drejtohet te administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.

“Pse të flirtohet me Borrellin e Lajçakun, kur e ke Bidenin dhe administratën e tij. Amerika gjithmonë ka marrë vendime për Kosovën, edhe kur e ka bombarduar Serbinë”, ka thënë Isufi në DPT te Fidani në T7.

Isufi ka thënë se Kurti nuk është dashur të tërhiqet nga vendimi i tij në momentin e fundit. Sipas tij, ai është dashur të këshillohet më herët me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

“Pse u desh në fund të shtyhet për 48 orë dhe t’i pranohet kërkesa ambasadorit amerikan. Ai është dashur të bisedojë më ambasadorin. Nuk mjafton vetëm komunikimi, por duhet konsultimi dhe bashkërendimi i veprimeve. Nuk e di çfarë do të bëj pas 48 orëve kryeministri, por kjo mënyra aplaudimi për vendimet që çojnë një hap prapa nuk është e mirë”, ka deklaruar ai.

Isufi ka thënë se Kurti duhet të konsultohet edhe me opozitën.

“Ajo është pjesë e institucioneve në Kuvendin e Kosovës, qoftë edhe si përvojë që ka”.

Përfaqësuesi i AAK-së ka thënë se qeveria e Kurtit, është qeveria më jo-transparente deri tani.