Istogu është skuadra që këtë sezon hyri në Superligën e Kosovës, pas një suksesi të jashtëzakonshëm që arriti në Ligën e Parë. Sot në debutimin e saj në elitën e basketbollit kosovar, ata u mposhtën me rezultat të thellë nga Trepça 112:65.
KB Trepça – që së fundmi triumfoi në Superkupën e Kosovës, duke mposhtur Pejën – dominoi sot gjatë tërë takimit, duke fituar të katër çerekët.
Mitrovicasit e filluan furishëm takimin, ku në 10 minutat e parë shënoi plot 31 pikë, kundrejt vetëm 13 pikëve të shënuara nga basketbollistët e Istogut.
Skuadra e Adis Beciragic vazhdoi të shënonte edhe në çerekun e dytë, tani duke shënuar një pikë më shumë se ne çerekun e parë 32 sosh, ndërsa vendasit shënuan 22 pikë, me pjesën e parë që u mbyll me rezultat 63:35.
Nënkampioni i Kosovës nga sezoni i kaluar vazhdoi me paraqitje masive, duke mbyllur çerekun e tretë 29:13.
Çereku i katërt ishte më i barabarti në krejt takimin. Istogu shënoi 17 pikë, e Trepça 20, me epilogun final të takimit 112:65 apo 47 pikë epërsi.
Si gjithnjë, lojtari më efikas në këtë takim ishte Drilon Hajrizi që kontribuoi me 20 pikë, nëntë rebounds e pesë asistime, ndërsa pati ndihmën edhe të Van Oostrum me 16 pikë, e të Mikaile Tmusic me 14 asistime e 11 rebounds.
Te Istogu, më i miri ishte Arian Azemi me 15 pikë e shtatë rebounds, Stanback me 16 pikë dhe Orges Shatri e Lang me nga 13 pikë.