Ballina

“Ishte duke u arratisur nga Policia”, detajet e fundit nga ngjarja tragjike në Shqipëri

By GAZETA SCANNER 1

April 02, 2024

Detaje të reja dalin nga ngjarja tragjike në Këlcyrë, ku drejtuesi i një mjeti nga Shkodra dhe 7 klandestinë humbën jetën pasi makina ku udhëtonin “fluturoi” rreth 100 metra nga rruga në afërsi të fshatit Kuqar dhe përfundoi në anë të lumit Vjosë.

Raportohet se patrulla ka piksuar automjetin dhe është vendosur në ndjekje të tij. Shoferi nga Shkodra, cili po udhëtonte drejt Këlcyrës është kthyer në rrugë dhe ka tentuar të arratiset.

Por, në tentativë për t’i shpëtuar efektivëve, nga shpejtësia e lartë me të cilën po drejtonte mjetin, shoferi ka humbur kontrollin e makinës në aksin Këlcyrë- Përmet dhe ka dalë nga rruga.

Aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm (2 prill) dhe mësohet se të gjitha viktimat janë meshkuj.

“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë”, raporton policia.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.

Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.

Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.