Lajme

Ish-shefi i KRU Prishtina apelon të mos krijohet panik: Uji nga kanali s’ka qenë asnjëherë për pije

By GAZETA SCANNER 1

November 30, 2024

Ish-shefi i KRU Prishtina, Sokol Xhafa, ka sqaruar se uji nga kanali i Ibër-Lepencit nuk ka qenë kurrë i pijshëm, duke theksuar se ky kanal është vetëm një burim për furnizimin e ujit që më pas trajtohet në impiantet përkatëse para se të bëhet i sigurt për konsum. Xhafa apeloi që të mos krijohet panik.

“Në kontekstin e sulmit të mbrëmshëm në infrastrukturën kritike, në kanalin e Ibrit, një gjë nuk arrij ta kuptojë. Si ka mundësi që në këtë vorbullën e turbullt të deklarimeve në media, del Ministria e Shëndetësisë dhe deklaron, po citoj nga lajmet në KTV “Uji nga kanali është i pa pijshëm”. Të nderuar përderisa flasim për ujë nga kanali, ai asnjëherë nuk qenë për pije, sepse është i pa trajtuar. I njëjti trajtohet paraprakisht në Impiante të Trajtimit të Ujit, pastaj shpërndahet për pije. Si person i çertifikuar për menaxhimin e krizave, emergjencave në sektorin e ujit, më e pakta që institucionet duhet bërë, është të mos hedhin panikë, por të kujdesen për qytetarët. Ndërsa Qeveria duhet të vetëdijësohet se ekspertët nuk krijohen brenda natës, por ata që janë edukuar e ngritur duke sfiduar çdo sistem, duhet mbajtë afër e të përkrahen! Deri atëherë miq, mos shpërndani panikë, kujdesuni për veten dhe Familjen, ruajeni ujin, duajeni shtetin!” – ka shkruar Xhafa.