Lajme

Ish-presidentja Jahjaga: Saranda, jemi me ty

By GAZETA SCANNER 1

March 09, 2023

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dalë në mbrojtje deputetes Saranda Bogujevci, e cila sot në Kuvendin e Kosovës deklaroi publikisht se po pret një fëmijë nga një shtatzëni me fertilizim të asistuar.

Jahjaga ka thënë se e drejta mbi autonominë trupore i përket secilit individ të shoqërisë. Por, sipas saj, në praktikë, veçanërisht kur bie puna tek të drejtat riprodhuese, janë burrat ata që marrin vendime e japin opinione statike se çfarë duhet të bëhet me dhe mbi trupin e grave.

“Është e dhimbshme që sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk u votua projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar. Moskalimi i këtij ligji është një indikator shqetësues që përforcon normat shoqërore dhe rrënjosë mentalitetin sipas të cilit gruaja nuk vendosë për trupin e saj, nuk zgjedhë mënyrën se si e merr epitetin nanë, dhe përfundimisht, lejon që trupi i saj të instrumentalizohet për qëllime të ndryshme shoqërore e politike”, ka deklaruar ajo.

Sipas Jahjagës, trupi i gruas nuk duhet politizuar e as instrumentalizuar për qëllime normative.

“Një grua duhet të vendosë vetë se si dëshiron të bëhet nanë, me kë të bëhet nanë, apo nëse dëshiron të bëhet nanë! Në këtë vendim nuk duhet të ndërhyjë shteti, e aq më pak një burrë, për të përcaktuar se cilat norma shoqërore duhet t’i ndjekë një grua. Saranda, jemi me ty dhe të mbështesim plotësisht!”, ka deklaruar ish-presidentja.