Lajme

Ish-Presidentët e Shqipërisë, Meidani, Moisiu dhe Topi shpallen “Qytetar nderi” të Drenasit

By GAZETA SCANNER 1

December 14, 2022

Të mërkurën, në Sallën e Kuvendit, është mbajtur mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës, ku janë shpallur “Qytetar nderi” të Komunës së Drenasit, ish-Presidentët, Prof. Dr. Rexhep Meidani, Prof. Dr. Alfred Moisiu dhe Prof. Dr. Bamir Topi.

Mbledhjën solemne e ka kryesuar, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Milaim Hajdari, ndërsa merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, tre presidentët e shpallur qytetar nderi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, Deputet të Parlamentit të Kosovës, Anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të subjekteve politike, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të Bashkësisë Islame, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të sferës politike dhe media.

Fillimisht, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Milaim Hajdari tha se po e hap këtë mbledhje solemne të Kuvendit, për të dhënë vendimet për shpalljen e tri personaliteteve të shquara kombëtare, titullin “Qytetar Nderi” të Komunës së Drenasit. “E falënderoj secilin anëtar të Kuvendit, për miratimin njëzëri, të propozimit nga kryetari Ramiz Lladrovci, për të shpallur tre qytetarë nderi, katër president shqiptar, tre prej të cilëve janë sot këtu, personalitete dhe atdhetar të shquar të jetës sonë politike, institucionale dhe intelektuale“, tha kryesuesi Hajdari ndër të tjera.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vlerësuar këto tri personalitete mjaft të rëndësishme për kombin shqiptar. “Këto tre personalitete të rralla janë të fushave të ndryshme por me rrugën dhe vizionin e njëjtë, atë të përparimit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar kudo që jeton. Kjo ditë që ju po pranoni titullin qytetarë nderi është dita e shënuar për ne dhe jo rastësisht me urimin për qytetarë nderi urojmë edhe ditën e Ushtrisë së Kosovës. Në këtë ditë, Komandanti Mujë Krasniqi me 41 luftëtarë, ranë heroikisht në fushën e nderit. Kur e kujtojmë komandant Mujën, duhet ta cekim heroizmin e paparë në historinë e re, atë të Komandantit legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazitit, Bekim Berishës, Luan Haradinajt, Fehmi e Xhevë Lladrovcit e mijëra heronj, dëshmorë e martirë të kombit. Për qytetarë nderi të Drenasit, si president, profesor keni promovuar vlerat e shqiptarëve kudo ku keni qenë. Ju keni prezantuar Republikën e Shqipërisë dhe njëherësh edhe Republikën e Kosovës, aty ku Kosova nuk kishte qasje, keni qenë për Kosovën kur rruga për çlirim u ndez aq fort sa rrezikohej qenia jonë fizike, prandaj jeni edhe më meritorë për këtë titull si qytetar nderi. Bashkë me aleatë fituam luftën, por pa Shqipërinë kjo nuk do të arrihej dhe Kosova këtë nuk do ta harrojë”, theksoi mes të tjerash në fjalimin e tij, kryetari Lladrovci.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Derisa foli për unitetin mes shqiptarëve, Minxhozi tha se situata që po kalon vendi është e vështirë, porse Kosova dhe Shqipëria do ta kalojnë.

Ish-Presidenti Rexhep Meidani është shprehur i emocionuar për këtë titull, derisa tha se ëndërron që një ditë të dy vendet të jenë të bashkuara me një himn.

“Ëndërroj një gjë të ishim bashkë, dhe këto mendime më erdhën në mendje në kohën kur u ekzekutuan himnet e flamurit dhe prapë kemi dy himne. Kur do vijë dita që të kemi një të vetëm, e unë besoj se do të vijë dita, kur do të jemi bashkë, dhe pikërisht për këtë do të luftojmë bashkë dhe të jemi gjithë kohën në harmoni me njeri tjetrin për ta ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë. Edhe në qoftë se politika nuk e kupton, ne të ndikojmë në politikën e të arrijmë përsëri këtë ëndërr të madhe, ëndrrën e të njëjtit flamur dhe të njëjtit himn”, shprehet Mediani.

Edhe Presidenti Alfred Moisiu po ashtu është shprehur mirënjohës për titullin e marrë.

Moisiu tha se është mirë që në situatën që po kalon Kosova të shohin të gjithë se Kosova dhe Shqipëria janë bashkë dhe do të përballojnë çdo vështirësi.

“Në kohë kur situata politike në kufirin me Serbinë, kur probleme të ndryshme gjeostrategjike qarkullojnë është mirë që ne jemi bashkë, jemi një komb dhe kështu si jemi do e përballojmë. E kanë ditur të parët tanë që në situata shumë të vështira të gjejmë mundësinë të bashkohemi dhe të përballojmë situata. Dhe ne nuk duhet t’i harrojmë asnjëherë sakrificat dhe trimërinë që kanë treguar shqiptarët gjatë problemeve të rëndësishme”, tha Moisiu.

Se shqiptarët të bashkuar do ta përballojnë çdo sfidë e tha edhe ish-presidenti Bamir Topi. Ku pas pranimit të titullit, ai tutje theksoi se: “Jam shumë mirënjohës dhe falënderues që më bëtë pjesë të komunës suaj, një komunë e cila pavarësisht se Kosova është martire në çdo qelizë të saj, kjo është kryeqendra që kanë memorie historinë e një lufte heroike dhe me shumë heronj. Atmosfera sot përzihet me disa situata që po ndodhin në Veriun e Kosovës, patjetër që ne jemi në një situatë paqeje dhe uroj që situata e paqes do të vijë. Të kujtojmë pjesën e pushkës sepse pa atë nuk do të kishte pasur çlirim por me shumë inteligjencë të kapim paqen dhe të vijë dita që Kosova dhe Shqipëria të jenë bashkë në një himn”, tha Topi.