Lajme

Ish-ministri i MPB-së: Lista Serbe vazhdon t’i stimulojë grupet kriminale

By GAZETA SCANNER 1

September 25, 2023

Ish-ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës (MPB), Bejtush Gashi ka deklaruar se partia më e madhe e serbëve në Kosovë Lista Serbe, vazhdojnë t’i stimulojnë grupet kriminale serbe, duke përfshirë edhe grupin e terroristëve serbë që dje vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gashi në Tëvë1, tha se këto grupe krimanale po i sfidojnë institucionet e Kosovës.

“Një pjesë edhe të anëtarëve të partisë serbe mund të jenë të involvuar në këto grupe krimianale, kështu që në këtë drejtim në rafshin politik ato kanë stimulu dhe stimulojnë këto grupe të cilat jo vetëm tani, por mund të sfidojnë institucionet e Republikës  së Kosovës. Andaj në këto kohë të vështira kërkohet një bashkëveprim i të gjitha subjekteve në Republikën e Kosovës pa përjashtim që të përballohet kjo situatë”, tha ish-ministri i Brendshëm në emisionin “Ditari” në Teve1.

Derisa sipas tij, skenarë të tillë si ai i djeshmi në Banjskë të Zveçanit mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

“Skenarë të tillë mund të ndodhin edhe në të ardhmen.  Për mua nuk ka qenë befasi, sepse për skenarë të tillë kanë edhe qendra të stërvitjes, njëra prej tyre është ajo në Rashkë. Jo vetëm që stërviten por edhe financohen edhe në aspektin material dhe logjistik“, tha Gashi.

Ai shtoi se “reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare ka qenë i vakët dhe i vonshëm, e që sipas tij, fatmirësisht ky skenar nuk u përmbyll me pritjet e grupeve krimianale”.

Ndryshe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka shprehur ngushëllime për familjet e serbëve të vrarë dhe policit të Kosovës gjatë sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Nga përleshja mes një grupi të armatosur dhe Policisë së Kosovës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se katër sulmues të dyshuar janë vrarë gjatë përleshjeve në manastirin në Banjskë.

Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe paqe.