Ballina

Ish-kryeministri: Mos të luhaten marrëdhëniet me ndërkombëtarët për interesa të vogla

By GAZETA SCANNER 1

June 12, 2024

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi duke folur për marrëdhëniet e qeverisë aktuale me ndërkombëtarët, ka deklaruar se ato nuk duhet të luhaten për ndonjë interes të vogël, qoftë edhe të drejtë apo të mirë.

Kosumi e ka këshilluar qeverinë që të krijojë raporte të drejtpërdrejta, siç i quan ai në “katër sy” me partnerët, duke e konsultuar çdo projekt para realizimit.

Për Kosumin, politika e jashtme i ka befasuar disa herë amerikanët dhe një gjë e tillë sipas tij mund të sjell pasoja.

“Duke qenë partner me ShBA-të, me NATO-n dhe evropianët tjerë ne e kemi këtë paqe që është kështu. Prandaj çdo qeveri duhet ta ketë parasysh këtë fakt, që për ndonjë interes të vogël, ta zëmë edhe të drejtë, të mirë, nuk mund të luhaten marrëdhëniet me ShBA-në, Britaninë apo BE-në. Nuk po them se ne duhet të rrimë e të bëjmë çfarë të tonë ata, as unë si kryeministër nuk kam bërë ashtu, por unë kam punuar që për një ide timen ta fitoj mirëkuptimin e të tjerëve… Ne nuk bën t’i befasojmë me politikën e jashtme amerikanët. Mendoj që kjo qeveri disa herë i ka befasuar. Kosova mund të pësojë edhe pse nuk ka pësuar deri më tani. Qeveria të fokusohet në krijimin e marrëdhënieve të drejtpërdrejta, në katër sy, të besueshme me partnerët dhe t’i bisedojnë projektet me ta para se t’i realizojnë”, është shprehur ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1.

Më tej, ish-kryeministri ka thënë se Kosova ka qenë më fat që shtetin e ka ndërtuar bashkë me amerikanët, britanezët dhe evropianët.

Kosumi ka vlerësuar se po ta kishte ndërtuar Kosova vet shtetin, me këta 5 mijë ushtarë të FSK-së do ta kishte të vështirë ballafaqimin me Serbinë

“Është fati ynë që shtetin e Kosovës e kemi krijuar bashkë me amerikanët, britanezët dhe me evropianët. Unë nuk po flas vetëm për qasjen e qeverisë, po flas për marrëdhëniet me partnerë që e kanë krijuar shtetin e Kosovës. Pse? Po ta kishim krijuar shtetin vetëm ne, do të duhej me këtë potencial, pra me këtë FSK, me këta 5 mijë ushtarë të trajnuar mirë me i përballu ushtrisë së madhe të Serbisë, gjë që do të ishte e vështirë, ose do të na shkonte jeta vetëm në luftë me Serbinë”, ka shtuar ai.