Lajme

Ish-bashkëpartiaku i Konjufcës, Kasolli: Në kosh të mbeturinave të letrave të tualetit do të përfundojë propaganda

By GAZETA SCANNER 1

September 17, 2023

Përmbajtjen e intervistës së fundit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ish-bashkëpartiaku i tij Afrim Kasolli, e ka quajtur “përpjekje e ulët dhe dëshpëruar e pushtetit për të legjitimuar propagandën, mashtrimin dhe dhunën”.

Filozofi Kasolli, duke përdorur një referencë që e bëri Konjufca për tekstet shkollore si të barazvlefshme me “letër tualeti” ia ka kthyer këtij të fundit se “propaganda do të përfundojë si letër tualeti”.

Deklarimet e tij se na është dukur në rregull Marrëveshja e Ohrit, sepse e kombinon marrëveshjen e prillit të vitit 2013 për Bashkësinë e Komunave Serbe me njohjen de fakto është një përpjekje tinëzare për të mbuluar pikërisht dështimin politik të kësaj qeverie me prapakthimin që ajo e bëri me këtë marrëveshje. Sepse me këtë dakordim as nuk ka njohje de fakto e as de jure”.

Reagimi i Kasollit:

A do të përfundojë propaganda si letër tualeti?

Intervista e Kryetarit te Kuvendit Glauk Konjufca te Jeta në Kosovë, nuk ishte asgjë tjetër, pos një përpjekje e ulët dhe dëshpëruar e pushtetit për të legjitimuar propagandën, mashtrimin dhe dhunën. Deklarimet e tij se na është dukur në rregull Marrëveshja e Ohrit, sepse e kombinon marrëveshjen e prillit të vitit 2013 për Bashkësinë e Komunave Serbe me njohjen de fakto është një përpjekje tinëzare për të mbuluar pikërisht dështimin politik të kësaj qeverie me prapakthimin që ajo e bëri me këtë marrëveshje. Sepse me këtë dakordim as nuk ka njohje de fakto e as de jure.

Mirëpo, edhe sikur të jetë ashtu si thotë Konjufca atëhere si mund te justifikohet gazi lotësjelljes, sulmet dhe polarizimi ekstrem i shoqërisë kosovare gati deri në zgrip të luftës civile, pikërisht për ta pamundësar zbatimin e Asocacionit, sepse ky entitet do të jete kanceri i shtetit të Kosovës. Si mund të gjendet arsyetimi për premtimet se Kosovës nuk i nevojitet as asi as kësi Asocacioni.

Prandaj, në atë interviste me një gjuhë tipike vullgare Konjufca kërkonte vetëm mirëkuptim publik dhe politik për dhunën që ai dhe subjekti i tij kanë ushtruar ndaj demokracisë se brishtë kosovare me qëllim që t’i kundërshtonin ato që sot ju duken OK. Pra ajo shfaqje mjerane ishte një përpjekje që me artin e propagandes të bindet shoqëria kosovare për të besuar në “gjithçka dhe në asgjë dhe të mendojë se çdo gjë është e mundur dhe asgjë e vërtetë”.

Mbase kjo është dilema më e madhe e shoqërisë kosovare sot. A do të pajtohet me këtë mashtrim? Sepse pranimi i tij nënkupton normalizim të dhunës vetëm për qëllime politike. Dhe nuk ka rrezik më të madh se sa ky opsion. Apo ajo do t’i ndëshkojë mbartësit e këtij mashtrimi. Kurse gjithë ato letra dhe trakte politike e propagandistike të shkruara dhe mbrojtura me zell ndër vite edhe nga Konjufca të përfundojnë në koshin e mbeturinave të letrave të tualetit.