Lajme

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Kirby: Njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në BE shkojnë paralelisht

By GAZETA SCANNER 1

November 25, 2022

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby vlerësoi se marrëveshja për targat, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën të mërkurën në Bruksel, mund t’i paraprijë arritjes së një zgjidhjeje afatgjate në negociatat mes dy palëve.

“Ka më shumë gjasa që kjo të jetë një zgjidhje për një krizë afatshkurtër, por unë me të vërtetë shpresoj për një zgjidhje afatgjatë gjithashtu. Ndoshta ky sukses mund të çojë në diçka tjetër. Nuk është e domosdoshme, por mundet. Këtu i referohem çështjeve të tjera që duhet të zgjidhen – përpara se të arrihet një njohje përfundimtare. Kjo, natyrisht, ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga Serbia – ku nga këndvështrimi ynë, Serbia do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Këto dy gjëra shkojnë bashkë me njëra tjetrën”, tha diplomati amerikan në intervistë për Zërin e Amerikës.

Kirby vlerëson se është mirë që ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, eci përpara në proces dhe se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje që u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian.

Kur u pyet se çfarë mendon se solli kthesën, ai thotë se “është e mundur që të dyja palët filluan të kenë një pikëpamje më serioze të asaj që po ndodh në Ukrainë, dhe se ka ende një perspektivë evropiane – dhe se Bashkimi Evropian mund të pranojë anëtarë të rinj”.

“Pra, duhet të arrijnë një marrëveshje [Kosova dhe Serbia]- për ta bërë atë të ndodhë [anëtarësimin në BE”, thekson Kirby, transmeton Telegrafi.

E se cilat mund të jenë përfitimet afatgjata nga marrëveshja e arritur, ai shprehet se ka qenë një çështje irrituese prej vitesh dhe “është mirë të heqim qafe barrën që mund të çojë në kriza siç ka pasur në të kaluarën”.

“Ka pasur një mori problemesh të tilla dhe është mirë që të zgjidhen një nga një. Sidomos, nëse arrini ta bëni atë përgjithmonë – në mënyrë të pakthyeshme”, thotë ai.

Ai shton se është e nevojshme që Beogradi dhe Prishtina të mësojnë të tolerojnë njëri-tjetrin dhe të jenë fqinjë.

“Nuk jeni i obliguar ta duajeni fqinjin – por duhet të pranoni që ai të jetoi pranë jush. Kështu që unë jam optimist – sepse pushtimi rus i Ukrainës tregon se Bashkimi Evropian ka kapacitet, kohë dhe interes për të punuar në këtë çështje. Nga këtu vjen optimizmi im. Borrell investoi shumë kohë, e cila është e kufizuar. Kosova është vetëm njëra nga krizat dhe është e vogël në krahasim me krizën në Ukrainë, në kufirin e madh të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja. Nëse Serbia dëshiron të bëjë diçka, mundet, po ashtu edhe Kosova, dhe e patë që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të inkurajojnë fuqishëm aty ku kanë ndikim”, tha Kirby.

Ai beson se në të ardhmen të dyja palët duhet të konsiderojnë diçka që mund ta zbatojnë.

“Nuk duhet të kërkoni diçka të madhe. Ka probleme të vazhdueshme në kufi dhe do të ishte e dobishme të përcaktohet se si të zvogëlohen ato, sepse mendoj se qytetarët e Kosovës do të ishin në një situatë më të mirë nëse do të kishin qasje më të lehtë në mallrat që kalojnë nëpër Serbi. Dhe nëse ata mund të zgjidhnin diçka në kufi, kjo do ta lehtësonte procesin. Do të ishte mirë edhe për serbët etnikë që jetojnë atje”, thotë ish-ambasadori amerikan në Beograd.

Sa i përket ndikimit amerikan në zgjidhjen e problemit të Kosovës, ai beson se ata kanë pasur ndikim për një kohë të gjatë, por nuk e kanë shfrytëzuar shumë.

“Ajo që dua të them është se të dyja vendet janë në Evropë, BE-ja është një institucion evropian, por Shtetet e Bashkuara kanë një opinion të lartë për Evropën dhe BE-në. Kjo është arsyeja pse ne dëshirojmë të ndihmojmë atje ku të mundemi, dhe këtë e kemi bërë që kur isha i përfshirë, kur isha ambasador në Serbi. Dhe kjo do të vazhdojë, sepse SHBA-ja duhet të ketë rolin e vet. Ndoshta në një moment do të na kërkohet edhe të ndihmojmë financiarisht për disa gjëra dhe pjesëmarrja jonë siguron që ne do të vazhdojmë të kontribuojmë”, thotë Kirby.

Ai shton gjithashtu se procesi i dialogut mes dy palëve udhëhiqet nga BE-ja dhe se SHBA-të duhet ta vëzhgojnë nga afër.

“Unë mendoj se ne duhet ta vëzhgojmë atë nga afër [dialogun], në mënyrë që të mund të bëjmë atë që sapo bëri ambasadori [Hovenier], e që është t’i bëjmë njerëzit të ndalojnë, të mendojnë dhe të kuptojnë se është në interesin e tyre më të mirë për të arritur një marrëveshje. Edhe Beogradi edhe Prishtina duhet të shohin se kjo është në interesin e tyre më të mirë. Nuk është gjithmonë kështu, dhe ndonjëherë i ndihmojmë ta shohin këtë”.

I pyetur se çfarë mendon për propozimin franko-gjerman për Kosovën, ai thotë se Franca dhe Gjermania kanë një ndikim të madh në BE “dhe nuk mund të bëheni anëtare pa dy shtete që udhëheqin përpjekjet për t’ju ndihmuar në këtë”.

“Megjithatë, mendoj se në një moment të caktuar do të duhet të përfshihen më shumë vendet që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës. Spanja dhe Qiproja do të duhet të bëhen më të hapura ndaj asaj ideje. Duhet të kemi Gjermaninë dhe Francën, por kjo nuk mjafton”, vlerëson ai.