Lajme

IPK rekomandon suspendimin për tre zyrtarë policorë në Ferizaj

By GAZETA SCANNER

December 25, 2024

 Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve pas publikimit të një video në medie, sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 23.12.2024 në Ferizaj në orët e vona të natës kur policia kishin ndaluar një të dyshuar i cili nuk ishte ndaluar me veturën e tij dhe policia i ishte vënë në ndjekje.

Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore.

 Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim  nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për tejkalim të autorizimeve dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent.