Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë në dy raste të ndryshme në Prishtinë dhe në Mitrovicë.
Lidhur me rastin e parë policia ka pranuar informacione sot pas orës 12:00 për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore.
Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore në këtë rast është lënduar një person nga shkrepja e armës.
E lënduara është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në pritet të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore.
I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) është shoqëruar në Inspektoratin Policor përderisa është rekomanduar suspendimi i tij si dhe i është konfiskuar arma zyrtare e cila dyshohet se është përdor në këtë rast.
Rasti tjetër në të cilin IPK ka rekomanduar masën e suspendimit ka ndodhur në Mitrovicë. Në këtë rast IPK ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këto raste për të sqaruar rrethanat e të dy rasteve.