Lajme

Inspektorati i kryeqytetit i reagon Pecit: Mbrojtja dhe lirimi i pronave të ministrisë është përgjegjësi e jotja

By GAZETA SCANNER 1

March 21, 2024

Inspektorati i Kryeqytetit i ka reaguar deklaratës së bërë nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci i cili tha se ka mungesë të vazhdueshme të vullnetit për bashkëpunim nga Komuna e Prishtinës që t’i zbatojë aktgjykimet e formës së prerë të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për t’i liruar hapësirat që sipas tij, janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë.

Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi ka thënë se “mbrojtja dhe lirimi i pronave të ministrisë që udhëheq ministri është përgjegjsi e tij dhe e institucionit që ai drejton, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kryeqytetin apo Inspektoratin e Kryeqytetit.

Dushi thekson rëndësinë e mirëkuptimit të qartë të detyrave dhe përgjegjësive të caktuara nga legjislacioni në fuqi, duke vënë në dukje rolin specifik dhe të pavarur të Inspektoratit të Kryeqytetit në këto procese.

Tutje ai tha se Inspektorati i Kryeqytetit mbron dhe liron, sipas autorizimeve ligjore, vetëm pronën publike – atë të Kryeqytetit.

“Inspektorati i Kryeqytetit mbron dhe liron, sipas autorizimeve ligjore, vetëm pronën publike – atë të Kryeqytetit. Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues dhe kemi organizuar disa takime me zyrtarët e Ministrisë për t’i ndihmuar në sqarimin e procedurave ligjore dhe veprimeve të nevojshme për lirimin e pronës së tyre. Ne ishim të gatshëm të asistojmë edhe përmes kompanisë sonë të kontraktuar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, por kemi marrë udhëzime nga Zyra Ligjore e Kryeqytetit se kontrata jonë vlen vetëm për Komunën e Prishtinës dhe nuk mund të aplikohet për institucione të tjera”, ka deklaruar ai.

Tutje, Inspektorati i Kryeqytetit thekson se nuk mund dhe nuk do të veprojë në kundërshtim me kontratën dhe ligjin, duke i përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e të tretëve.