Lajme

Inspektorati gjen mish të dyshimtë, arrestohen dy persona në Pejë

Me urdhër të prokurorisë, dy persona në Peja kanë përfunduar në pranga. Të njëjtit po dyshohen për prodhim dhe vënie në qarkullim të produkteve të dëmshme ushqimore.

Inspektimet e inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës janë zhvilluar në rrugën “Fatmir Uka” në Pejë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi gjatë kontrollit nga njësiti relevant i hetimeve dhe inspektorët e Agjensioit të Ushqimit dhe Veterinës në një objekt të improvizuar është vërtetuar se ai kishte therë tre krerë gjedhe, në të cilin vend kishin qenë edhe dy krerë gjedhe të gjalla. Gjedhet e therura  dhe të gjallë janë sekuestruar, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, pak metra më tutje është arrestuar një tjetër burrë, pasi gjatë kontrollit nga njësiti relevant i hetimeve dhe inspektorët e Agjensioit të Ushqimit dhe Veterinës në thertoren e tij është vërtetuar se kishin qenë në proces të therjes 7 krerë gjedhe, objekti nuk i plotësonte kushtet për therje të kafshëve.

“Në dy kontejner të thertores kishte pas rreth 620 kg mish të cilët ka mbetur që me datën 21.12.2019 të asgjësohet nga kompania përzgjedhëse nën mbikëqyrjen e njësive relevante të policisë dhe AUVK-ut. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, është thënë në këtë njoftim.