Në Angli paratë nuk mungojnë kurrë.
Të paktën, klubet e futbollit mund të sfidojnë Evropën dhe gjithë botën, edhe pse jo gjithmonë ia dalin të dominojnë kupat e kontinentit.
Njëri prej më të mëdhenjve është Manchester United, me “Djajtë e Kuq”, të cilët nuk heqin dorë nga ëndrra për t’u kthyer edhe një herë në kohët e arta të Sir Alex Ferguson dhe këtë verë duket se shpenzimet për përforcime do t’i kalojnë 170 milionë eurot.
I pari që u mor ishte Joshua Zirkzee, teksa për kartonin e “tulipanit” paguan 42.5 milionë euro në arkat e Bologna, duke siguruar kështu një investim afatgjatë për repartin e sulmit.
Goditja e dytë ishte ajo për adoleshentin Leny Yoro.
Qendërmbrojtësi 18-vjeçar, që është 1.90 metra i lartë kërkohej nga Real Madrid e Liverpool, mirëpo “Djajtë” paguan plot 62 milionë euro, për atë që cilësohet si talenti i brezit të tij, duke e “lidhur” francezin, me kampionatin anglez, për të paktën 5 vitet e ardhshme.
Klubi i “Old Trafford”, ndërkaq, ka arritur akordin personal me mesfushorin uruguajan, Manuel Ugarte, një tjetër blerje e mundshme nga kampionati francez, pasi 23-vjeçari luan për Paris SG.
PSG e mori për 42 milionë paundë nga Sporting Lisbon, dhe nuk besohet se do ta lëshojë lehtë, teksa sipas mediave, për Ugarte do të kërkohen 59 milionë paundë, apo 70 milionë euro, ndërsa mesfushori ka të njëjtin agjent si Yoro, portugezin e famshëm, Jorge Mendes.
Trajneri Erik Ten Hag shpreson të ndërtojë një skuadër për të pretenduar titullin, ose të paktën për t’u kthyer në Champions sezonin e ardhshëm, pas dështimit të vitit të kaluar.