Ekonomi

Importet nga Serbia në vitin 2022 u rritën me 21.7 %

By GAZETA SCANNER 1

January 17, 2023

Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur për rreth 21.7% apo mbi 66 milionë euro.

Kosova këtë vit ka importuar mallra në vlerë prej 371.6 milionë euro nga Serbia, e cila sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës llogaritet të jetë partneri i katërt tregtar i Kosovës në këtë aspekt.

Në vitin e 2021 Kosova nga Serbia kishte importuar mallra në vlerë prej 305.4 milionë euro.

Në bazë të këtyre të dhënave del se Kosova ka shënuar rritje të importeve nga Serbia me rreth 21.7% apo 66 milionë euro.

Kështu mallrat nga Serbia përbëjnë rreth 6.63% të totalit të importeve që ka pasur Kosova gjatë vitit 2022.

Në vitin para pandemisë (2018) Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 386.4 milionë euro.

Gjatë viteve të pandemisë dhe Taksës 100% (2019 dhe 2020) Kosova kishte nivelet më të ulëta historike të importeve nga Serbia.

Në vitin 2019 që ishte vit i fillimit të pandemisë eksportet nga Serbia nuk shkonin më shumë se 4.4 milionë euro.

Të dhënat e Doganës së Kosovës për importet nga Serbia në pesë vitet e fundit

Një vit më pas, importet shkuan në 173.4 milionë euro derisa në vitin 2021 Kosova nga Serbia importoi mallra në vlerë 305.4 milionë euro.

Së fundmi, është riaktualizuar thirrja për të bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia.

Nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe – Besa, besë” për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj bën thirrje që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë.

Piraj në një intervistë për Telegrafin tha se qëllimi i kësaj fushate është që të vetëdijesohet qytetari i Kosovës, që të mos blejë produkte të cilat importohen nga fqinji verior.

Ai tha se për t’u bërë pjesë e fushatës nuk ka rëndësi partia politike së cilës i përket, por vullneti për të kontribuar.