Sport

Ilir Selmani merr drejtimin e Trepçës

By GAZETA SCANNER 1

January 17, 2023

Klubi i basketbollit Trepça ka vendosur për trajner vendor për vazhdim të kampionatit. Pasi të dielën u nda me maqedonasin Alek Joncevski, Trepça të hënën mbrëma e ka zyrtarizuar Ilir Selmanin si trajner. Selmani ka qenë lojtar i Trepçës e më pas trajner në shumë periudha. Deri tani ka punuar me kategori të reja në klubin mitrovicas.

Në klub është kthyer edhe Besim Braha, tjetër lojtar me nam i Trepçës. Sipas njoftimit, Braha i bashkohet ekipit si pjesë e shtabit teknik. Pozita e tij nuk është saktësuar në njoftim.

Trepça të shtunën pësoi humbje turpëruese nga Prishtina dhe menjëherë erdhi ndarja me selektorin e Maqedonisë së Veriut, Joncevski. Ai ka dhënë dorëheqje. Më herët këtë edicion klubi mitrovicas ishte ndarë edhe me bullgarin Lubomir Minchev.