Lajme

Ikja e mjekëve sfidë për institucionet

By GAZETA SCANNER 1

May 04, 2024

Largimi i mjekëve nga Kosovë për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës, mbetet sfidë për institucionet e vendit, pasi ikja e tyre është reflektuar në mungesë të stafit nëpër qendra të mjekësisë.

Njëra nga to është edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan.

Specialistja e mjekësisë familjare, Ramize Ahmeti-Ibrahimi, thekson se pavarësisht fluksit të madh të pacientëve, dhe numrit të vogël të stafit, çdoherë kujdesen që pacientëve mos tu mungojë shërbimi.

“Tani për tani kemi numër të mangët të mjekëve e sidomos familjar. Kjo për shkak se një numër i tyre për një kohë të shkurtër qëndrojnë, pas specializojnë  edhe  mund të largohen nga vendi . Kjo po na shkakton telashe por bashkërisht me stafin po mundohemi disi të ja dalim për sa më shumë shërbime cilësore për pacientët”, ka thënë për RTK, Ahmeti.

Ajo thekson nevojën që mjekëve të rinj, tu ofrohen kushte për të qëndruar në Kosovë.

Ikja e mjekëve mbetet shqetësim edhe për Taulant Ramadanin, me profesion stomatolog. Porse për ta ushtruar profesionin e tij në institucione publike në Kosovë, thotë se nuk po ua mundëson ligji.

“Ekziston një ligj ku specializantëve të stomatologjisë, nuk ja jep të drejtën të punojnë nëpër institucione publike me i plotësua pra resurset humane në institucione publike. Ky është një dëm që shkakton probleme financiare të pacientëve që disa shërbime nuk mund t’i marrin në institucione publike por private”, ka thënë Ramadani.

Nga Oda e Mjekëve dhe Infermierëve në Kosovë, kanë deklaruar se largimi i mjekëve në vitet e fundit është në rritje. Sipas tyre, pagat e ulëta dhe kushtet e punës mbesin vetëm disa nga arsyet e largimit të tyre nga vendi.