Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se më 22 gusht do të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohet kërkesa e Komunës së Mitrovicës Veriore që të bëhet anëtare e këtij asociacioni.
Më tej ai ka thënë se beson që nga muaji shtator do të kenë takimin e Këshillit të Kryetarëve, ku do të diskutojmë, debatojmë për problemet që i kanë komunat.
Ndërsa, i pyetur nëse mund të ketë takim të Asociacionit me kryeministrin Albin Kurti para muajit shtator, Ibrahimi ka thënë se mund të realizohet një takim i tillë edhe më shpejt, por sipas tij, nuk ka kuptim që kryeministri Kurti t’i dëgjojë hallet e komunave dhe të veprojë kundër kërkesave të kryetarëve të komunave.
“Jo jo, mund të mbahet, java e parë, java e dytë sepse nuk është ndonjë problem, mund të mobilizohemi dhe ta mbledhim këshillin. Mirëpo, duam zgjidhje, sepse për atë arsye po them çfarë kuptimi ka të takohemi me kryeministrin, kushtimisht ai t’i dëgjojë hallet e komunave dhe të veprojë kundër kërkesave të kryetarëve të komunave. A ka ndonjë kuptim, sinqerisht? Kryetarët e komunave nuk janë të interesuar që të dalin, të shkojnë atje për foto, apo për kamera sepse kanë punë shumë më të rëndësishme, të takohen me qytetarë, të implementojnë projekte e të tjera”, është shprehur Ibrahimi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Në mesin e ankesave që kanë komunat, Ibrahimi përmendi çështjen e kompensimit të dëmeve nga vërshimet.