Lajme

“I plotësuam kërkesat”: Gërvalla i kërkon Francës e Gjermanisë ta çojnë Kosovën në KiE

By GAZETA SCANNER 1

October 08, 2024

Kryediplomatja Donika Gërvalla u ka bërë thirrje Gjermanisë e Francës që “të marrin drejtimin” në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këto deklarata, ajo raportohet se i ka bërë në një intervistë për “Anadolu”:

“Kosova duhet t’i bashkohet sa më parë që është e mundur KiE-së, sepse asambleja veçse ka vendosur që Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat”.

Tutje, ajo ka adresuar kërkesën e saj për Francën e Gjermaninë.

“Ne kemi plotësuar të gjitha kërkesat, kështu që është koha që Gjermania dhe Franca ta marrin drejtimin dhe ta sjellin Kosovën në KiE – ka thënë ajo.

Sipas Gërvalles, anëtarësimi i Kosovës në struktura evropiane është i rëndësishëm për të kundërshtuar aktivitetet destabilizuese të disa fuqive të huaja.

“Unë me të vërtetë besoj se nëse BE-ja nuk kujdeset mjaftueshëm për kontinentin e saj dhe u lë hapësirë ​​të tjerëve që nuk e duan BE-në, që nuk duan mënyrën tonë të jetesës, që nuk ndajnë vlerat dhe parimet tona, atëherë do të bëhet edhe më vështirë dhe do të na duhet të merremi me konflikte dhe tensione.” – ka thënë Gërvalla.